Avokati i Albulena Haxhiut nuk ‘mbushet mend’, e paditë sërish OAK-un dhe ia huq – Gjykata e hedh poshtë padinë

Avokati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, Nasuf Hasani, i njohur për humbjen e betejave që ka hapur në vazhdimësi me Odën e Avokatëve të Kosovës, e që nuk ia ka dalë asnjëherë, ka bërë huqjen e radhës. Kjo u vërtetua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me një aktvendim me të cilin ka hedhur poshtë padinë e Hasanit kundër OAK-ut, raporton Gazeta Sinjali.

Hasani njihet për plot raste të humbura, i dënuar për shkelje të etikës dhe muajt e fundit për luftën që ka humbur ndaj OAK, ku ka edhe rol udhëheqës, ani pse jo në qendër, e të cilën e pati quajtur organizatë kriminale.

Në një vendim të marrë së fundmi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për hedhjen poshtë si të palejuar të padisë së tij kundër Odës, duke kërkuar anulimin e vendimit të datës 11 nëntor 2023 dhe duke propozuar edhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar.

Oda e Avokatëve të Kosovës, më saktë Komisioni i Ankesave, ia kishte ashpërsuar dënimin Hasanit. Nga 500, dënimi tij ishte bërë në 2500 euro, siç thuhej për të arritur efektin e disiplinimit, pasi që i njëjti sipas këtij vendimi, është recidivist-përsëritës i shkeljeve disiplinore

Gjykata me rastin e shqyrtimit të lëndës, me qëllim të vendosjes lidhur me propozimin e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, e ka vlerësuar lejueshmërinë e padisë për inicimin e konfliktit administrativ, në raport me vendimin e kontestuar dhe ka gjetur se Hasani nuk mund të hapë konfliktin administrativ.

Pra, edhe kësaj radhe, Hasani ia ka huqur duke parashtruar padi pa e “mësuar” Ligjin për Konfliktet Administrative e madje as Ligjin për Avokatinë edhe pse ushtron profesionin e avokatit.

“Kjo për faktin se me dispozitën e nenit 15 paragrafi 1, pika 1.2 të Ligjit për Konfliktet Administrative është përcaktuar se “Konflikti administrativ nuk mund të zhvillohet kundër akteve të nxjerrë në çështjet rreth të cilave sipas dispozitës së ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ”, e po ashtu në bazë të Ligjit për Avokatinë dhe atë në nenin 54 të tij është paraparë se “Vendimet e plotfuqishme të organeve disiplinore të Odës me të cilat janë shqiptuar gjobat paraqesin dokumente ekzekutive dhe Oda është e autorizuar të kërkojë përmbarimin e tyre me dhunë në pajtim me dispozitat e Ligjit të Procedurës Përmbarimore” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

415278195_262420830202833_2618478041388163312_n-1536x773.jpg

Kujtojmë se vitin e kaluar, Prokuroria e pati hedhur poshtë kallëzimin e tij penal kundër zyrtarëve të Odës. Ndërsa edhe Gjykata Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte cilësuar si krejt të palejuar padinë e tij kundër OAK-ut, pas gjobës për shkelje të etikës.

Go to TOP