Auditori gjen se tenderi për Spitalin Covid nuk duhej të zhvillohej me procedura te prokurorimit të negociuara edhe pa buxhet të ndarë

Procedura e prokurimit për ta shndërruar Klinikën e Re Emergjente në QKUK në Spital për COVID-19 në vitin 2020 nga Ministria e Shëndetësisë është zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim, sipas të gjeturave nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Teksa për tenderin fillestar për projektin në fjalë “Projektimi dhe Mbikëqyrja profesionale e projektit të Klinikes Emergjente në QKUK – Adaptimi i objektit për nevoja të COVID-19” pati rezultuar me dy kontrata në vlerë totale për dy lote 379,950€.

Loti 1 për projektim ishte nënshkruar dhe paguar në vlerë 189,992€, ndërsa loti 2 për mbikëqyrje ishte nënshkruar në vlerë 189,958€ e cila nuk është realizuar.

Derisa, tenderi për zbatimin e kësaj procedure “Adaptimi i Klinikës se re Emergjente për nevoja të COVID-19” në vlerë të parashikuar 18,683,463€ ishte anuluar pak para hapjes së ofertave, gjatë këtij viti, me arsyetimin se nuk ka linjë buxhetore për këtë projekt në vitin 2021.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se ndikimi i kësaj procedure është shmangie nga parimet e transparencës dhe konkurrencës dhe ndikon në eliminimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht kufizon mundësinë e pranimit të më shumë ofertave me një çmim më të ulët.

Ndërkaq ka rekomanduar tek ministri se duhet të sigurojë që përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të bëhet vetëm për rastet emergjente ndërsa shpallja e tenderit për projekte kapitale të bëhet sipas afateve të parapara në Ligjin e Buxhetit.

Kurse, arsyetimi i zyrtarëve të këtij dikasteri i cili është publikuar në këtë raport, është se  procedura është udhëhequr e negociuar pa publikim për shkak se projekti është i një rëndësie të veçantë, me vlerë të lartë.

E meqë hapësirat e Klinikës së Re Emergjente nuk arritën të shndërrohen në Spital për COVID-19 ndërtimi i këtij objekti shëndetësor ka mbetur vetëm me mure të ngritura.

Go to TOP