Artistët jetojnë dy herë

Shkruan: Ilir MUHARrEMI, kritik i artit

Mbyllja e syve nuk do të thotë zhdukja e përhershme nga kjo botë. Artistët jetojnë dy herë. Mjeshtri i ngjyrës Sali Shijaku  ishte dhe është  piktor  i kompozimeve të veçanta një figurëshe. ““Një filozof është shprehur se një vijë e drejtë, nuk është e bukur. Një vijë kurbë është më variante se sa një vijë e drejtë. Një vijë kurbë në një anë dhe me një vijë kurbë në të kundërt, është më variante se sa vetëm një vijë kurbë. Një vijë kurbë e fortë dhe një vijë kurbë e lehtë, kjo është vija e së bukurës. Këtë e nënvizon. Çfarë kemi ne në jetë që është e pasur me vijën e së bukurës? Femra. Dhe femra është e tillë…”, kishte thënë artisti i merituar Shijaku. Nuk lodhem së sodituri këtë figurë me dy buzë të vogla të kuqe, hundën e rregullt, flokë të bardh, një e bardh jo krejt e bardh, e bardha plot dritë, pastërti shpirtërore. Figura e saj duket si e fshehur si në prapavijë e shkrirë pas flokëve. E kuqja është dominuese në vete ka dritë, shkëlqim. Kjo femër duket si bukuri e fshehur por e theksuar. Sy të mëdhenj nga një konkurrencë me të bardhën, por psikologjia ta rrëmben mendimin, ky mendim i kapur dhe i vizualizuar nga dora e mjeshtrit. Përzierje dhe kombinim i ngjyrave janë shumë pranë ndijimeve dhe injektimeve. E kuqja ligjëron bukur me oratorinë e saj joshëse, herë estetike, e herë plot epsh, ndonëse në zanafillë ajo këtu ka qetësinë dhe harmoninë.

Vepra tjera janë të veçanta me një gamë temash tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), dallohet për prirje në thellimin psikologjik të personazheve, (një grup partizanësh) me qëndrim statik, duke evidentuar forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës me imazhet dhe portretet e figurave. Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja “Mic Sokoli” (1969, GKA,Tiranë)  e “shkëputi” artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh një figurëshe. Figurat e përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë të flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969, GKA, Tiranë),  të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, GKA, Tiranë), “Nora e Kelmendit” (1981, GKA, Tiranë), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983, GKA, Tiranë).

Go to TOP