Arteta i brengosur me lëndimin e Sakas
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta (42), pranoi se ishte “mjaft i shqetësuar” për një dëmtim të pësuar nga ylli i skuadrës, Bukayo Saka (23), gjatë fitores 5-1 kundër Crystal Palace të shtunën.
Saka, i cili u detyrua të largohej nga loja në mesin e pjesës së parë, u pa me paterica teksa largohej nga Selhurst Park pas një ndeshjeje që i afroi “Topçinjtë” vetëm tre pikë larg kryesuesve të Premier League, Liverpool.
“Ai (Saka) ndjeu diçka në kofshë,” tha Arteta.
“Ai nuk mundi të vazhdonte. Duhet të vlerësohet, kështu që jam mjaft i shqetësuar për këtë.
Është shumë e vështirë të japësh një parashikim tani. E kanë testuar brenda, por është shumë e vështirë të thuhet se sa serioz është dëmtimi.”
Arteta shtoi: “Për fat të keq, me numrin e ndeshjeve që po luajmë çdo tre ditë, me këtë orar, nuk më habit kjo situatë, por skuadra do të reagojë ndaj kësaj.”
Arsenali do të përballet më pas me Ipswich-in, që ndodhet në vështirësi, të premten, Brentford-in në Ditën e Vitit të Ri dhe Brighton-in vetëm tre ditë më pas, si pjesë e programit të ngjeshur të festave.
