Arrihet marrëveshja për luftimin e ndryshimeve klimatike në samitin COP26 – plani parasheh reduktimin e përdorimit të qymyrit
Një marrëveshje që synon të shmangë ndryshimet e rrezikshme klimatike është arritur në samitin COP26 në Glasgow.
Sipas BBC,Pakti i Glasgow për Klimën është marrëveshja e parë klimatike që planifikon në mënyrë eksplicite reduktimin e qymyrit, karburantin më të keq fosil për gazrat serrë.
Marrëveshja përfundimtare premton gjithashtu më shumë para për vendet në zhvillim – për t’i ndihmuar ato të përshtaten me ndikimet klimatike.
Por zotimet nuk janë arritur deri në atë pikë sa të kufizojnë rritjen e temperaturës në 1.5 gradë Celsius.
Dhe një angazhim i mëparshëm për ta larguar qymyrin nga përdorimi u zbut, pasi India ngriti kundërshtime në minutën e fundit ndaj formulimit dhe e zëvendësoi atë me frazën “reduktim të përdorimit”.
Pasi formulimi i ri u miratua mes shprehjeve të zhgënjimit nga disa vende, presidenti i COP26, Alok Sharma tha se i vinte “thellësisht keq” për mënyrën se si ishin zhvilluar ngjarjet.
Por ai tha se ishte jetike për të mbrojtur marrëveshjen në tërësi.
