Arrestohen katër persona të dyshuar për ‘mashtrim’, ‘falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas
një pune operative-hetimore kanë arritur të sigurojnë informata/prova, të cilat dëshmojnë se të
dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh., përmes veprimeve të kundërligjshme (falsifikimin e
dokumenteve/pasaportën e Serbisë dhe dokumente tjera) dhe duke i përdorur si të vërteta
dokumentet e rrejshme (gjithashtu duke prezantuar një person të rrejshëm si person i vërtetë),
kanë arritur që ta tjetërsojnë/shesin përmes noterit, pronën e ankuesit M.T. në sipërfaqe prej
36.28 ari dhe njëkohësisht duke mashtruar blerësin H.M., se kinse janë duke ia shitur pronën me
dokumentacion të rregullt, ku në këmbim të kësaj kanë marrë të holla në vlerë totale prej
1,578,180.00 euro.


Përmes urdhrit verbal nga prokurori i rastit, janë realizuar kontrolle në 5 lokacione të ndryshme,
me ç’rast janë gjetur mjete monetare në vlerë prej 9,000.00 euro, të cilat janë sekuestruar si
provë në procedurat e mëtejme.


Personat e dyshuar dyshohet se kanë kryer veprat penale:
 ‘mashtrimi’, nga neni 323 i KPRK-së,
 ‘falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 390 i KPRK-së,
 ‘legalizimi i përmbajtjes se rreme’, nga neni 395 i KPRK-së.


Sot me datën 19.02.2026 të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të
dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje prej 48
orësh./Kosova.info/

Go to TOP