Argumentet për Koalicionin LVV-PDK-Pakicat

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Pas zgjedhjeve institucionet themelore duhet të formohen duke bërë llogaritë me kujdes, duke analizuar përfitimet dhe kostot potenciale, jo me inate, jo me një frymë negative e të polarizuar. Pa aventura politike, me stabilitet afatgjatë. Duhet të bëhet ajo që është e duhura, jo thjesht ajo që na pëlqen apo e preferojmë.

Një koalicion LVV-PDK-Pakicat mund të duket i pamundur në këtë moment, por megjithatë është opsioni më racionale për Kosovën në raport me nevojat e brendshme dhe trendet globale.

1. Koalicion me më shumë siguri, maturi dhe stabilitet

Nuk mund të ndërtojmë qeveri që nuk zgjasin. Një mandat njëvjeçar do të sillte nervozizëm dhe vendime të pamatura afatshkurtra. Ky koalicion do të garantonte stabilitet për Kosovën. Do të mund të zgjasë sipas ligjit deri në katër vite, duke siguruar qeverisje efektive dhe jo vendime të përkohshme që vetëm e thellojnë krizën politike.

2. Zgjidhja e nyjës kryesore të Presidentit

Ky koalicion do të kishte 82-83 vota, që do të thotë asnjë krizë institucionale, as zgjedhje të reja pas një viti. Me një marrëveshje të qartë, posti i presidentit mund të jetë pjesë e kompromisit, duke siguruar stabilitet afatgjatë. Kjo është diçka që opsionet e tjera nuk e mundësojnë dhe për Kosovën do të thoshte shmangie e krizave të vazhdueshme.

3. Kapacitetet partiake

Këto dy parti kanë atë që i nevojitet Kosovës për një qeverisje më funksionale. PDK me Bedri Hamzën ka një program të qartë për politikat fiskale, bizneset dhe investimet. Ka përvojën që i duhet Kosovës në diplomaci, sidomos në raport me Amerikën e Donald Trump. LVV ka vullnetin dhe energjinë për reforma në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ky balancim mes përvojës dhe reformave do të ishte një fitore e madhe për Kosovën.

4. Adresimi i nevojave thelbësore dhe përmirësimi i pozitës së Kosovës

Ky koalicion adreson prioritetet kryesore të shtetit.

-Rregullon diplomacinë dhe ekonominë.

-Siguron vazhdimësinë e reformave në drejtësi dhe sundimin e ligjit.

-Me programin e Bedri Hamzës, ekonomia forcohet, kushtet për bizneset përmirësohen dhe Kosova bëhet më konkurruese.

-Integrimet dhe diplomacia kthehen në binarët e duhur.

Në këtë moment nuk ka asnjë opsion tjetër që sjell më shumë përfitime për qeverisjen, zhvillimin e brendshëm dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

A ka gjasa ky opsion dhe cilat janë shqetësimet?

Aktualisht ky koalicion duket pak i mundshëm. Nuk ka vullnet mes palëve dhe as konteksti politik nuk është i favorshëm. Por nëse shikojmë racionalisht përfitimet dhe kostot, ky mbetet opsioni më i mirë për Kosovën. Një variant pa inate, me arsyetim pragmatik, që sjell më shumë stabilitet dhe përmirëson gjendjen brenda dhe pozitën jashtë.

Cilat janë shqetësimet dhe sa janë të qëndrueshme?

a. Koalicion i panatyrshëm?

Thuhet se ky është një koalicion i panatyrshëm, me pozicione të kundërta. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të bashkëpunojnë për interesin e vendit. Nga këndvështrimi i elektoratit mund të duket një opsion “i çmendur”, por liderët janë aty pikërisht për të marrë vendime të vështira dhe të duhura.

b. Si mund të ketë dy kryeministra?

Nuk duhet të ketë. Ky opsion ka 82 vota, që do të thotë PDK merr postin e kryeministrit dhe Bedri Hamza bëhet kryeministër. Albin Kurti mund të bëhet president me marrëveshje pasi Vjosa Osmani përfundon mandatin. LVV fiton edhe postin e kryetarit të Kuvendit dhe gjysmën e ministrive. Një marrëveshje e drejtë sipas rezultatit zgjedhor dhe peshës politike të partive.

c. Albin Kurti i ka quajtur “hajvanë”, pse të bëhet koalicion me PDK?

E ardhmja e vendit nuk mund të vendoset mbi një deklaratë të nxituar. Politika kërkon pjekuri dhe racionalitet. Kosova nuk mund të mbetet peng i fjalëve të një politikani në momente të tensionuara. Elektorati i sanksionon sjelljet e tilla në zgjedhje, por vendimet shtetërore duhen marrë me vizion dhe maturi.

d. Pse jo një koalicion LVV-LDK, por LVV-PDK?

LDK ka dalë e nënvlerësuar nga zgjedhjet dhe nuk ka treguar fleksibilitet për aleanca strategjike. Ka ndjekur strategjinë e “mospërfshirjes” dhe ka qenë rigjide në qëndrimet e saj. Një koalicion LVV-PDK i konvenon edhe LDK-së, sepse e lë në opozitë dhe i jep hapësirë të forcohet për të sfiduar për vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme.

e. A tradhtohet elektorati me këtë koalicion?

Jo. Elektorati pikërisht këtë po kërkon. LVV është duke u tkurrur dhe po korrektohet, që do të thotë se duhet të përmirësohet, të mos qeverisë e vetme, të mos ketë pushtet absolut dhe të mos i quajë kundërshtarët “hajvanë”. PDK është duke u rritur dhe kërkon vazhdim të reformave. Edhe pse ky koalicion mund të duket i pazakontë, argumentet në favor të tij janë më të shumta se kundër tij.

f. Cili është interesi i partive?

PDK do të ketë mundësi të reformohet dhe të bëhet më e fortë për të garuar për vendin e parë në të ardhmen. Disa reforma të brendshme të saj do të përshpejtohen me këtë koalicion. Do të ketë pakënaqësi të brendshme, por partia pas këtij mandati do të jetë më e fuqishme.LVV ka interes të ndajë pushtetin, të ketë në qeveri një partner me përvojë dhe të sigurojë që marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë të menaxhohen më mirë në një periudhë të pasigurt globale.

g. A kthehen ministrat dhe fryma e vjetër?

Jo. Në këtë variant qeveria do të ishte e pastër dhe funksionale. Hamza dhe Kurti do të sjellin ministra me integritet të lartë, duke krijuar një sinergji të përvojës dhe vizionit reformist.

h. Pse opozita mos me formu qeverinë? Mundet me formu, por elektorati i ka besu LVV-së si parti kryesore. Duhet me respektu demokracinë. E demokraci kishte me qenë edhe nëse opozita e formon qeverinë pasiqë LVV nuk mundet me bë një gjë të tillë. Por në këto moment dhe sipas rezultateve, sovrani ende e preferon LVV-në por jo sikurse deri më tani. Një verzion më të përmirësuar sesa që kemi parë gjatë katër viteve.

i. Pse mos me formu LVV qeverinë vet? Pse me shumë gjasë nuk mundet. Sovrani nuk i tha cka kërkoj LVV “500k dhe 70%”. Po i fiton rreth 42% dhe kjo nënkupton që sipas strategjisë së saj ‘o krejt, o asgjë’ që nuk është në pozitë me kriju qeverinë. Duhet me bë kompromise, me bashkëpunu. Kjo është saktësisht cka i ndevojtet LVV-së me u bë më e mirë sesa që është. Sovrani po i ndihmon dhe po ja tregon rrugën, është bë udhërrëfyes për reformat që duhet ndërmarrë.

j. Pse bash ky koalicion, a nuk ka mundësi tjera? Ka. Janë pesë variante të ndryshme që mund të ndodhin sipas rezultateve të 9 shkrurit. Por në Kosovë dhe Ballkan duhet të mësohemi të bëjmë politikën me kompromise, bashkëpunim dhe koncensus. Jo të ketë humbës dhe fitues por të nxjerim më të mirën nga situata dhe kushtet. Deri më tani, kemi pasur më shumë raste kur skena ka qenë e polarizuar. Tash duhet të avacojmë në kompromise, në bashkëpunime dhe në maturitet.. sidomos aty ku konsiderohet interesi publik krahase preferencave të grupeve të interesit.


Go to TOP