Anglia në finalen e Euro 2024 përballë Spanjës

Zëvendësimi i Kane me Watkins ka dalë të jetë një lëvizje e qëlluar për Anglinë. Sulmuesi i Aston Villa e ka kualifikuar në finale skuadrën e “Tre luanëve”.

Në një ndeshje dramatike të zhvilluar në “Signal Iduna Park” Anglia ka triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Holandës. 

Ka qenë Holanda ajo që e para e ka gjetur avantazhin, kur Simons ka rrëmbyer një top nga mesfusha angleze dhe me një gjuajtje precize nga njëzet e një metra e ka mposhtur portierin Pickford.

Megjithatë, Anglia nuk ka vonuar me përgjigjen e saj. Kane e ka barazuar rezultatin nga penalltia në minutën e tetëmbëdhjetë, pas një pengimi në zonë nga mbrojtësi holandez Dumfries, vendim që është konfirmuar pas rishikimit nga VAR.

Mbrojtësi i Interit është bërë përsëri protagonist kur ka shpëtuar një gol të sigurt, duke ndaluar topin të kalonte vijën e portës pas një sulmi anglez. Ai gjithashtu e ka goditur shtyllën, duke qenë shumë afër realizimit të një goli për Holandën.

Nga ana tjetër, Anglia ka pasur një mundësi të shkëlqyer kur Foden e ka goditur shtyllën me një gjuajtje nga distanca.

Në pjesën e dytë, Holanda e ka pasur rastin më të mirë me Van Dijk, por goditja e tij është ndaluar nga Pickford.

Saka ka shënuar për Anglinë në minutën e tetëdhjetë, por goli është anuluar nga VAR.

Kur është dukur se ndeshja do të shkojë në vazhdime, Watkins e ka dërguar topin në rrjetë, duke siguruar fitoren dhe kualifikimin në finale për Anglinë.

Anglia do të përballet me Spanjën në finale më 14 korrik. 

Go to TOP