Analistët komentojnë moscertifikimin e Listës Serbe dhe sfidat paszgjedhore
Në debatin e sotëm në “RTK Prime”, analistët politikë kanë diskutuar për zhvillimet rreth procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, duke u ndalur veçanërisht te vendimi i KQZ-së për të moscertifikuar Listën Serbe.
Diskutimet sollën në pah qëndrime të ndryshme mbi pasojat politike, afatet paszgjedhore dhe sfidat që mund të dalin pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme.
“Supozoj se do të duhen dy muaj për certifikimin e rezultateve, konstituimin e parlamentit. Ne jemi praktikisht në fazën e zgjedhjes së presidentes ose presidentit. Nëse nuk janë siguruar 80 vota deri atëherë, Kosova shkon prapë në zgjedhje. Gjasat mendoj që s’janë shumë të larta sepse nuk ka ndryshim në raport të forcave. Rezultati zgjedhor i Prishtinës mendoj që mund të jetë mostër për zgjedhjet e dhjetorit”, ka thënë Melazim Koci.
Sa i përket moscertifikimit të sotëm të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, analistja Fatime Hajdari ka thënë se çdo votë në këtë institucion duhet të shkojë kundër.
“Konsideroj që të gjitha subjektet politike pa dallim duhet votuar kundër. Kjo nuk ka të bëjë me etninë e Listës Serbe, por me destruktivitetin dhe veprimet që ata i bëjnë në raport me shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.
“Vendimi i anëtarëve të KQZ-së është politik. E ka kundërshtuar LVV dhe e kanë ndjekur anëtarët e tjerë që kanë abstenuar. Të tjerët duhet të kenë guxim ose të votojnë kundër ose të mos abstenojnë, por të gjithë e kanë një frikë nga vota qytetare”, ka thënë në anën tjetër Sadik Zeqiri.
“E keqja e subjekteve politike është se po merren vetëm me patriotizëm. Është KQZ ai që vendos për këtë çështje, ne duhet të merremi me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë, të ardhurat. Këto janë temat që çdo subjekt politik duhet t’i përcaktojë në programet e veta”, ka thënë profesori Muhamet Kelmendi.
Ndërkohë, vendimin e sotëm të KQZ-së e ka dënuar misioni i OSBE-së në Kosovë, duke e vlerësuar si cenim të drejtës së subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje.
