Ambasadori rus kërcënon: BiH mund të bashkohet me NATO-n, por Moska do të reagojë ndaj “kërcënimit”
Ambasadori rus në BiH Igor Kalabukhov tha se vendi ka të drejtën të vendosë nëse do të bashkohet me NATO-n, por paralajmëroi se Moska gjithashtu rezervon të drejtën t’i përgjigjet një mundësie të tillë në përputhje me interesat e saj.
“Nëse ajo (BiH) vendos të jetë anëtare e ndonjë gjëje, kjo është një çështje e brendshme. Por gjëja tjetër është reagimi ynë. Në shembullin e Ukrainës, ne kemi treguar se çfarë presim. Nëse ka një kërcënim, ne do të reagojmë”, tha Kalabukhov për TV të Federatës së BiH (FTV), duke shprehur një kërcënim mezi të fshehur.
Megjithatë, ai pretendoi se ishte Perëndimi që përbënte një kërcënim për sigurinë e BiH nëpërmjet pretendimeve se Rusia “gjoja po përgatiste një plan”.
“Nuk kemi plane. Ne do të reagojmë duke analizuar situatën strategjike dhe gjeopolitike”, tha ambasadori rus, duke shtuar se anëtarësimi në NATO në BeH tani është në sferën e fantazisë sepse nuk ka konsensus në vend dhe kjo nuk do të ndryshojë.
Ai po aludonte në refuzimin e vendosur të zyrtarëve serbë boshnjakë të kryesuar nga Milorad Dodik për të lejuar çdo hap të mëtejshëm që do të çonte në anëtarësimin e plotë të BiH në NATO.
Ambasadori rus hodhi poshtë pretendimet se vendi i tij, me ndihmën e Dodik, i cili mbron fuqishëm një aleancë me Moskën, po destabilizon BiH, duke e përshkruar atë si “gënjeshtra dhe marrëzi”. Ai pretendon se vendi i tij nuk po bën luftë, por në fakt është në një lloj misioni paqeruajtës sepse “liron ukrainasit nga kërcënimi nazist”
“Ne nuk jemi në luftë me Ukrainën. Lufta është shpallur zyrtarisht. Diplomati shkon në Moskë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, sjell një notë dhe thotë këtu, qeveria e Ukrainës ka vendosur t’ju shpallë luftë. Është një luftë. Për ne ky është një operacion ushtarak special”, tha Kalabukhov./KI
