Ambasadori izreaelit në SHBA: Izraeli do t’i vrasë herën tjetër krerët e Hamasit, nëse i mbijetuan sulmit në Katar
Nëse Izraeli ka dështuar që t’i vrasë udhëheqësit e Hamasit përmes një sulmi ajror të martën në Katar, do të korrë sukses në këtë synim herën tjetër, tha ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara pas operacionit, i cili shkaktoi shqetësim se do t’i pengonte përpjekjet për të siguruar armëpushim në Gaza.
“Ne i kemi paralajmëruar terroristët, kudo që mund të jenë… do t’i ndjekim dhe do t’i shkatërrojmë ata që do të na shkatërrojnë ne” – tha ambasadori Yechiel Leiter në një fjalim të mbajtur të mërkurën në kompleksin e Kapitolit të ShBA-së, raporton “Reuters”.
Izraeli tentoi që t’i vriste udhëheqësit politikë të Hamasit përmes një sulmi të martën në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke e përshkallëzuar veprimin ushtarak në atë që Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur sulm të njëanshëm që nuk i çon përpara interesat amerikane e izraelite.
Sulmi ajror ndodhi pak kohë pasi Hamasi e mori përgjegjësinë për një sulm që ndodhi të hënën në Jerusalem, ku në një vendndalim autobusi u vranë gjashtë njerëz.
Operacioni në Doha, i dënuar gjerësisht, ishte posaçërisht i ndjeshëm, për shkak se Katari ka qenë nikoqir dhe ndërmjetës në bisedimet që e kanë për synim sigurimin e një armëpushimi në luftën e Gazës.
Gazeta amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi se presidenti Donald Trump kishte një telefonatë të tensionuar të martën me kryeministrin izraelit, Benjami Netanyahu, të cilit i ka thënë se vendimi për ta shënjestruar Hamasin brenda Katarit nuk ishte gjë e zgjuar.
Ndërkohë, në fjalimin e mbajtur në përvjetorin e Akordeve të Abrahamit, me të cilat u normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa shteteve me shumicë myslimane, ambasadori amerikan në ShBA e kritikoi Katarin.
“Çfarë është duke e bërë Katari, nëse jo financimin dhe përkrahjen e terrorizmit duke e luajtur nikoqirin e Hamasit, bash njerëzit që i dërguan njerëzit që i dërguan terroristët që vranë gjashtë njerëz që ishin ulur në një vendndalim autobusi në Jerusalem, që po prisnin t’i kryenin punët e tyre” – pyeti ai.
