Ambasadori i Francës në Kosovë deklarohet për ndihmën prej 100 mijë euro për familjet e të zhdukurve
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se 100 mijë eurot e dhuruara për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq vien si mbështetje për dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mes Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një postimi në Twitter, ai ka thënë se të njëjtat janë mbështetje për familjet e të zhdukurve.
“Franca i ka dhuruar 100 mijë euro Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të vazhduar punën për personat e zhdukur. Kjo është mbështetje për dialogun e lehtësuar nga BE-ja…mbështetje për familjet e të zhdukurve”, ka shkruar Guerot në Twitter.
Ndërkaq, në një postim në Facebook, thuhet se çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë është thelbësore për pajtimin dhe normalizimin e mardhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas marrëveshjes së Ohrit solli po ashtu dakordimin e parë drejt zbatimit të deklaratës për të zhdukurit gjatë luftës, takim ky i zhvilluar në mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
