Ambasada amerikane i rikonfirmon mbështetje ShKK-së në projektin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta

Zëvendësuesja e Drejtorit të Qendrës Korrektues Dubravë, znj. Zyrafete Imeraj, së bashku me Drejtorin për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, z. Ismail Dibrani, pritën në takim Drejtorin e Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) në Kosovë, z. Shawn Waddoups, Këshilltari i Lartë për Burgje në INL, z. Richard Coursey dhe Këshilltaren e Programit të ICITAP për Shërbimin Korrektues të Kosovës, znj. Pamela Wallace.

Gjatë takimit, znj. Imeraj, e njoftoi z. Waddoups për sfidat dhe të arriturat e kësaj qendre, me ç` rast e falënderoi edhe për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria Amerikane po i jep Shërbimit Korrektues të Kosovës përmes ICITAP, e veçanërisht Qendrës Korrektuese Dubravë.

Z. Waddoups, e përgëzoi znj. Imeraj për punën dhe të arriturat e kësaj qendre, ndërsa shprehu përkushtimin e tij dhe të ICITAP, për të vazhduar mbështetjen e kësaj qendre edhe në të ardhmen.

Në takimit u rikonfirmua se Ambasada Amerikane do të vazhdoi ta mbështes fuqishëm zhvillimin e ShKK-së në të gjitha fushat, me theks të veçantë Projektin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, projekt ky, i cili është duke u mbështetur fuqishëm edhe nga Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu.

Pas takimit, z. Waddoups së bashku me bashkëpunëtorët e tij vizituan Njësitin Intervenues të ShKK-së, ku patëm mundësi të përcjellim nga afër demonstrimin e aftësive intervenuese të njësitit në rast të trazirave të mundshme në institucionet korrektues, e po ashtu edhe shfrytëzimin e pajisjeve të dhuruara donacion nga Ambasada Amerikane.

Po ashtu, panë nga afër edhe Pavijonin D, i cili tashmë është destinuar të jetë Institucion Shëndetësor për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, i cili të mbulojë shërbimet shëndetësore të personave të privuar nga liria, veçanërisht grupeve të ndjeshme me nevoja të veçanta. /Kosova.info/

Go to TOP