Akuzohet ngasësi i dyshuar i kamionit me viktima në Teksas

Ngasësi i dyshuar i kamionit të braktisur në Teksas, me dhjetëra trupa të vdekur brenda, është akuzuar për kontrabandim migrantësh, që ka çuar në vdekje.

Homero Zamorano është paraqitur si migrant në një shkurre afër kamionit në San Antonio të Teksasit, kur është arrestuar nga policia.

Deri më tani 53 njerëz kanë vdekur, disa nga të nxehtit dhe dehidrimi, pasi kanë qenë të mbyllur brenda kamionit në temperaturë të lartë dhe pa ujë.

Ky rast përbën trafikimin më vdekjeprurës me njerëz në historinë amerikane.

Sipas një zyrtari meksikan për migrimin, ngasësi i dyshuar, Zamorano – i cili është nga Teksasi – “ka tentuar të prezantojë veten si një nga të mbijetuarit”, kur është gjetur nga policia.

I dyshuari i dytë, Christian Martinez, është arrestuar nën akuzat për komplot.

Prokurorët federalë kanë thënë se hetuesit e kanë gjetur emrin e tij kur kanë bërë kërkime në telefonin e Zamoranos, dhe e kanë kuptuar që të dy kanë komunikuar.

Departmaenti amerikan i Drejtësisë, ka bërë të ditur se të dy burrat mund të përballen me burgim të përjetshëm, apo me dënim me vdekje, nëse dënohen.

Edhe dy të dyshuar tjerë janë arrestuar nga autoritetet.

Pjesëtarë të emergjencës kanë arritur në mbrëmjen e së hënës afër San Antonios, ku kanë gjetur 46 trupa të vdekur brenda kamionit të braktisur.

Numri i viktimave ka shkuar më pas në 53, pasi një numër i personave të shtruar në spitale, kanë vdekur gjatë trajtimit.

Sipas Qeverisë së Meksikës, 27 prej tyre kanë qenë nga Meksika, 14 të tjerë nga Hondurasi, shtatë nga Guatemala dhe dy nga El Salvadori.

Go to TOP