Aktakuzë për terrorizëm ndaj një shtetasi të Kosovës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet K.D, për “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.
Siç njofton Prokuroria Speciale, i dyshuari, së bashku me bashkëshorten e tij i ishte bashkëngjitur grupit militant, Shteti Islamik, “duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate si trajner i snajperistëve”.
“Më pas i pandehuri K.D., është arrestuar dhe është burgosur nga Forcat Demokratike Siriane, kurse më datë 17 korrik 2021, në mënyrë të organizuar është transferuar në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Në vitin 2015, Kosova miratoi një ligj të posaçëm që sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, ku parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.
Kosova, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka rikthyer mbi 100 shtetas të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, që kishin qenë në zonat e konfliktit në Siri.
Comments