Aktakuza ndaj zyrtarëve të aeroportit, Bekim Jashari fajëson mediat: Ata janë të pafajshëm, unë s’jam hetuar

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka fajësuar disa nga mediat në Kosovë pas një raportimi për një aktakuzë ndaj zyrtarëve të aeroportit, ku u tha se Bahri Nuredini së bashku me dajën e tij Bekim Jashari kishin qenë nën hetim për keqpërdorimin e mbi 8 milionë euro.

Jashari përmes një postimi në Facebook tha se nuk ka qenë asnjëherë në hetime, i dyshuar apo i akuzuar për ndonjë vepër penale.

“E them me bindje dhe me përgjegjësi të plotë që asnjëherë nuk kam qenë dhe nuk jam nën hetime, i dyshuar apo i akuzuar për ndonje vepër penale.

Tërë angazhimin tim në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, e kam bërë me përgjegjësi të plotë, duke dhënë shembull dhe duke arritur suksese konkrete në menaxhim efikas dhe udhëheqje me duar të pastra”, tha Jashari.

Tutje ai tha se personat që janë të apostrofuar në këtë aktakuzë janë të pafajshëm, ndërsa thotë se beson në drejtësinë e vendit se ky rast do të zbardhet.

“Njëkohësisht shprehë bindjen time të plotë që personat e apostrofuar janë të pafajshëm dhe duke besuar në drejtësinë tonë ky rast do të zbardhet dhe do të vërtetohen veprimet e drejta të tyre në shërbim të ruajtjes së parasë publike dhe funksionimit normal të institucionit në fjalë.  Liria e shprehjes nuk duhet të keqpërdoret, në emër të saj nuk duhet të gënjejmë, shpifim dhe cenojmë tjetrin asnjëherë. Këtë duhet ta kenë të qartë gazetarët misionar të politikës, të pasuruar po mbi këto veprime të cilat tash veçse i kanë përvetësuar mirë”, shkroi Jashari.

Go to TOP