Ahmeti uron Lladrovcin, Lushtakun dhe Hamzën: Vetëm të bashkuar arrihen fitoret e mëdha
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një sërë takimesh në Drenas, Skenderaj dhe Prishtinë, ku ka uruar drejtuesit e rinj lokalë dhe partiakë për detyrat e reja që i kanë marrë.
Ahmeti ka takuar Ramiz Lladrovcin, të cilit i ka uruar mandatin e ri në krye të Komunës së Drenasit, si dhe Sami Lushtakun për mandatin e tij në krye të Skenderajit. Po ashtu, në Prishtinë ai ka uruar Bedri Hamzën për detyrën e re si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas Ahmetit, këto zhvillime politike në Kosovë janë të rëndësishme jo vetëm për përgjegjësitë që sjellin, por edhe për mesazhin e bashkimit dhe koordinimit që duhet të udhëheqë klasën politike.
“Këto ditë të rëndësishme sjellin jo vetëm përgjegjësi të reja, por edhe një mesazh të fuqishëm për bashkim, unitet dhe koordinim mes të gjithëve që punojnë për interesin e përbashkët të qytetarëve dhe të Kosovës”, u shpreh ai.
Ahmeti shtoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe vizionit të qartë mund të arrihen rezultatet dhe fitoret më të mëdha për vendin dhe qytetarët e tij. /Kosova.info/
