Ademi: Viti 2025 ishte vit i suksesshëm

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ceremoninë ‘Laureatët e vitit 2025’, është shprehur i kënaqur me punën, rezultatet dhe të arriturat në vitin që po e lamë pas.

I pari i futbollit tonë, bëri të ditur se investimet në infrastrukturë po vazhdojnë me intensitet të lartë, duke theksuar se çdo 45 ditë po ndërtohet nga një fushë e re futbolli.

“Investimet në infrastrukturë nuk kanë ndalur. Çdo 45 ditë po përfundojmë nga një fushë futbolli, ndërsa Kampi Nacional në Leposaviq është një projekt i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit tonë,” ka deklaruar Ademi.

Presidenti i FFK-së ka njoftuar gjithashtu se në muajin janar do të nisë puna për themelimin e Akademisë së FIFA-s në Kosovë, ku do të përgatiten talentët më të mirë të vendit.

“Në këtë akademi do të zhvillohen dhe përgatiten talentët tanë më të mirë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për futbollin e Kosovës,” ka theksuar ai.

Duke folur për garat evropiane, Ademi vlerësoi lart sukseset e Dritës, duke i cilësuar ato si të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi faktin se Kosova tashmë ka katër ekipe që përfaqësojnë vendin në Evropë çdo vit.

“Fati deshi që Drita të sigurojë fazën e grupeve dhe shpresojmë që të shkojë sa më larg në garat evropiane,” u shpreh ai.

Ademi theksoi edhe avancimin në digjitalizim, duke bërë të ditur se FFK është ndër federatat e pakta në Evropë që ka përfunduar këtë proces.

“Federata e Futbollit të Kosovës është e digjitalizuar plotësisht. Vetëm ne dhe Federata Shqiptare e Futbollit e kemi të përfunduar këtë proces,” ka thënë Ademi.

Sa i përket infrastrukturës së stadiumeve, ai njoftoi se punimet po vazhdojnë në stadiumin “Adem Jashari”, si dhe në Drenas.

Në fund, presidenti i FFK-së foli edhe për Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se janë edhe dy hapa të rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror.

“Te Kombëtarja na mbesin edhe dy hapa për të realizuar ëndrrën e madhe – kualifikimin në Botëror,” përfundoi Ademi.


Go to TOP