Ademi kthehet te Dinamo i Zagrebit, nuk luan ndaj Ballkanit në Ligën e Konferencës
Arijan Ademi, është sërish lojtar i Dinamo Zagrebit.
Kapiteni shumëvjeçar i klubit kroat do të vihet në dispozicion të trajnerit Sergej Jakiroviq tashmë këtë javë.
Por, ai nuk do jetë në gjendje të vjen në Prishtinë dhe të përballet me Ballkanin në Ligën e Konferencës, pasi është kaluar afati për regjistrimin e lojtarëve – të paktën për fazën e grupeve ai nuk do të jetë i përfshirë.
Ademi ndeshjen e fundit me fanellën e Dinamos e luajti më 19 mars të këtij viti në fitoren 1:0 të Maksimir ndaj Rijekës, pas së cilës kaloi pak më shumë se pesë muaj në Kinë duke luajtur për Beijing Guoan.
Ai u largua nga Dinamo në fund të marsit pas gati 13 vitesh në klubin e tij të preferuar, ku u bë lojtari me më shumë trofe në historinë e klubit.
Ai fitoi 22 trofe, nga të cilat 12 tituj kampion, gjashtë kupa dhe katër superkupa.
Është mbresëlënëse që në çdo sezon që ka qenë në Dinamo ka qenë kampion dhe në secilin prej tyre ka fituar kualifikimin në fazën e grupeve të garave evropiane.
Ai është gjithashtu i dyti në listën historike të klubit të lojtarëve me më shumë paraqitje në ndeshjet konkurruese.
Numri aktualisht ndaloi në 373, duke iu afruar numrit 400, dhe ndoshta edhe një rekord historik.
Në krye është Drazen Ladiq me 468, i treti Mladen Ramljak me 337, teksa i katërti Marko Mlinariq me 307.
“Rikthimi në Dinamo, nga këndvështrimi im, nuk ishte asnjëherë në diskutim. Nuk e prisja të ndodhte kaq shpejt, por gjërat shkuan në atë mënyrë. Gjatë gjithë kohës kam ndjekur çdo ndeshje, çdo lajm që lidhet me klubin tim të dashur nga Kina, ndaj jam shumë i lumtur me këtë epilog”, u shpreh Ademi.
“Në të gjithë këtë proces sigurisht që ka luajtur një rol të madh administrata e klubit dhe sektori i sportit, sepse përmes kontaktit me ta ndjeva se sa shumë duan të më rikthejnë dhe sa e rëndësishme është për ta në këtë periudhë tranzitore”, u shpreh Ademi.
“Merita shkon edhe për zhveshtoren e Dinamos, me të cilën kam qenë në kontakt gjatë gjithë kohës, si dhe për trajnerin Jakiroviq, i cili insistoi për ardhjen time dhe personalisht u përfshi fuqishëm në të gjithë këtë proces. Mund të them vetëm se jam jashtëzakonisht i lumtur që jam kthyer në klubin tim, në stadiumin tim të preferuar”.
