Abdixhiku tregon pse i gjithë Kuvendi duartrokiti për fjalimin e deputetes së VV-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar në emisionin Pressing në T7 se pse të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e sotme të Kuvendit duartrokiten fjalimin e deputetes së VV-së, Arjeta Fejza.

Abdixhiku, ndonëse nuk i kujtohet emri i deputetes në emision, tha se e respektonte atë fjalim dhe mendimin e saj.

“Ishte një fjalim i një deputeteje të VV-së që e duartrokitem të gjithë. Nuk më kujtohet emri pasi ndoshta nuk është edhe shumë aktive e nuk e kam parë. Ajo tha Oliver Ivanoviqi është kriminel. Kjo është e saktë. Tri javë pas deklaratës së Kurtit më në fund dikush nga pushteti ngritët e flet atë që është e vërtetë. Andaj të gjithë duartrokitem”, tha ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka kujtuar sot nw fjalimin e saj nw Kuvend natën kur në veri të Mitrovicës, 23 vjet më parë, u vranë 10 shqiptarë.

Fejza ka thënë se ngjarja mes natës së 3 dhe 4 shkurtit e vitit 2000 përcaktoi linjën e ngjarjeve pasuesve në Mitrovicë. Ajo ngjarje, shtoi Fejza, ka pasoja të drejtpërdrejta me ato që ndodhën edhe në fund të vitit të kaluar në veri.

“Netët e tmerrit është emri i ngjarjeve të natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Ibrit në Mitrovicë. Pjesëtarët e formacionit paramilitar serb të njohur si ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar. Plagosën shumë të tjerë dhe dëbuan mbi 11 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Në atë natë 8 muaj pas përfundimit të luftës në këtë pjesë të Mitrovicës në orët e mbrëmjes segmente të instrumentalizuara si ‘Rojat e urës’ kishin dalë të protestonin derisa në fakt patën filluar të sulmonin shqiptarët me armë e granata”, ka thënë Fejza.

Fejza ka theksuar se vrasjet atëherë nuk ishin të rastësishme dhe se e inkuadruar direkt ishte qeveria serbe. Ndërkohë, ajo ka përmendur me emra serbët e përfshirë teksa ka kërkuar nga drejtësia që t’i zbulojë edhe të tjerët që morën pjesë në krim.

“Ekzekutorët sipas dëshmitarëve okularë ishin: Dragan Delivashiq, Oliver Ivanoviq, Milorad Rakiq, Pagi Joviq, Zoran Dediq, Rela Mrtinoviq, Zoran Kostiq, Sasha Saviq, Ivan Mantiq, Dragan Shillkoviq, Dushko Shillkoviq, e shumë të tjerë, emra te të cilëve drejtësia duhet t’i bëjë të ditur”, ka theksuar Fejza.

Pas leximit të fjalimit të saj, Fejza është duatrokitur, sic raportojnë mediat, edhe nga deputetët e opozitës.

Go to TOP