Abdixhiku nga Bellobradi: U kthyem sërish, sepse pimë ujin e kroit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar fshatin Bellobrad të Dragashit, ku është pritur me entuziazëm nga banorët lokalë duke theksuar rëndësinë e përkushtimit ndaj zonave të largëta të vendit.
Abdixhiku kujtoi një vizitë të mëhershme në këtë fshat, ku banorët i kishin sugjeruar të pinte ujë nga kroi pranë xhamisë, për të cilin besojnë se sjell bereqet dhe rikthim sërish në atë vend.
“Këtë herë u ktheva me Vjosën”, u shpreh ai duke iu referuar Vjosa Osmani, ndërsa shtoi se gjatë vizitës diskutuan për zhvillimin e turizmit, menaxhimin e burimeve ujore, infrastrukturën dhe mungesën e vëmendjes institucionale për këtë zonë ndër vite.
Ai vlerësoi mikpritjen dhe qëndrueshmërinë e banorëve të Bellobradit duke theksuar se pavarësisht largësisë, ata nuk janë dorëzuar asnjëherë.
Në përmbyllje, Abdixhiku falënderoi banorët për mbështetjen dhe theksoi se do të rikthehen sërish në këtë zonë duke e lidhur këtë me simbolikën e ujit të kroit. /Kosova.info/
