Abdixhiku prezanton Shaip Surdullin kandidat për Kamenicë: LDK, shpresa e vetme për Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar në Kamenicë kandidatin e partisë për kryetar të komunës, profesorin Shaip Surdullin. Ai e cilësoi Surdullin si një personalitet me integritet, përvojë dhe përkushtim, të gatshëm për të udhëhequr Kamenicën drejt zhvillimit.

Në këtë tubim, Abdixhiku prezantoi edhe listën e 20 kandidatëve për Kuvendin Komunal të Kamenicës duke theksuar se kjo komunë, megjithëse e vogël, mbart shpresë dhe energji të madhe për ndryshim.

“Këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme vetëm për Kamenicën, por për gjithë Kosovën. Sepse vota për Lidhjen Demokratike është vota që i jep fund populizmit, dështimit dhe gjuhës së urrejtjes që ka mbërthyer këtë vend. Vota për LDK është antidoti i vetëm kundër krizës së vazhdueshme, është shpresa për zhvillim, për dinjitet dhe për një të ardhme evropiane,” tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK mbetet forca e vetme që ofron stabilitet, vizion dhe rrugë të qartë drejt integrimit evropian, ndërsa ftoi qytetarët e Kamenicës dhe gjithë Kosovës që më 9 shkurt ta mbështesin këtë alternativë. /Kosova.info/


Go to TOP