A rrezikon Kosova të “shkundet” nga tërmetet? Ekspertët flasin për cilësinë e ndërtimeve
Rreth 12 mijë persona deri më tani llogaritet të kenë vdekur nga tërmeti 7.8 shkallësh që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës.
Madje, numri po thuhet se do të vazhdojë të rritet edhe më shumë, shkruan Front Online.
Por, sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet?
Këto janë zonat me rrezikun më të lartë sizmik në Kosovë
Sizmologët mendojnë se Kosova bën pjesë në listën e vendeve me aktivitet sizmik relativisht të lartë, ndërkaq me rrezik më të lartë janë tri zona.
Kurse, thonë se ndërtimet duhet të jenë sipas standardeve dhe të bëhen me planifikim.
“Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit të dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zonat përreth”, ka thënë Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës për Front Online.
Kurse, ka treguar se cilat janë zonat me rrezik më të lartë nga tërmetet dhe ato me rrezik më të ulët.
“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të richterit”, është shprehur ai.
Kur janë regjistruar tërmetet më të fuqishme në Kosovë?
E, tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitud prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali.
Ai shpjegon edhe mënyrën se si duhet të ndërtohen objektet për tu bërë ballë fatkeqësive natyrore në këtë rast tërmeteve.
“Është domosdoshme që për çdo objekt të ketë studim gjeologo-inxhinierik, për të parë në çfarë trualli do të ndërtohet. Mbi këtë bëhet studimi inxhinierik-sizmologjik që jep parametrat që duhen marrë parasysh në projektimin antisizmik dhe pastaj zbatimi i këtyre studimeve. Pra, janë shumë hallka që duhen kaluar deri në fillimin konkret të ndërtimeve të gjitha këto hallka, në vendet e ndryshme të botës janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, ka pohuar ndër të tjera Mustafa.
Më tutje thotë se ndërtimi duhet të jetë i projektuar.
Dhe nëse të gjitha projektet iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik atëherë nuk ka vend për shqetësim.
“Sa i përket ndërtimeve se sa i përballojnë tërmetet e pritshme referuar hartës se rrezikut sizmik, fillimisht duhet me i pas të gjitha të dhënat se si janë projektuar dhe me çfarë standardi janë projektuar dhe ndërtuar, pra nuk është kompetencë e SHGJK-së të prononcohet, sepse nuk jemi institucion që pajisim me leje ndërtimore dhe nuk menaxhojmë ekzekutimin e ndërtimeve të objekteve sipas projektit, kjo varet se sa janë respektuar standardet nacionale dhe standardet evropiane për ndërtim që është kompetence e nivelit lokal. Ne mund të themi që nëse të gjitha projektet, pra ndërtimet iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik sipas standardeve nacionale dhe evropiane dhe studimeve gjeologo-sizmike duke përfshi komponentin sizmik, atëherë nuk ka vend për shqetësim të ndonjë dëmtimi apo shkatërrimi të strukturave nga tërmetet e pritshme”, ka shtuar ai, për Front Online.
Pikërisht duke pasur parasysh zonat me rrezik më të lartë dhe ndarjen zonale nëpër qytete, edhe inxhinierët bëjnë thirrje që ndërtimet të bëhen me planifikim.
Sa janë të sigurta ndërtimet në Kosovë nga tërmetet? Flet profesori i ndërtimtarisë
Profesori i ndërtimtarisë, Naser Kabashi për Front Online thotë se ndërtimet në Kosovë janë të njëjta me ato të rajonin, por prapë se prapë kërkohet kujdes në aspektin e realizimit.
“Ndërtimet në Kosovë kanë një nivel të njëjtë me rajonin, prandaj nuk mund të themi se janë të paqëndrueshme, mirëpo kërkohet kujdes i veçantë në aspektin e realizimit dhe mbikëqyrjes. Ndërtimi në Kosovë në aspektin e projektimit dhe materialeve plotëson kushtet sipas standardeve europiane, mirëpo duhet të rritet kujdesi në realizimin e objekteve dhe mbikëqyrjen profesionale”, ka deklaruar Kabashi.
Ndërsa, thotë se sfidë mbeten shkallët emergjente sidomos në banime kolektive.
“Koncepti i shkallëve emergjente, e me theks të veçantë në objektet publike dhe me banim kolektiv paraqet një sfidë të veçantë që duhet të ndërlidhet me lejen e përdorimit të objekit, e që është kompetencë e organeve komunale apo ndonjëherë edhe qendrore”, është shprehur Kabashi.
Përgjatë shekullit të fundit zona të ndryshme të Kosovës janë goditur nga tërmete të fuqishme. Prizreni e Peja ishin goditur nga një tërmet me fuqi 6 shkallë të Rihterit.
Ndërkohë në regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, u shënua tërmeti tjetër me fuqi 5.7 shkallë të Rihterit, me ç’rast një person kishte vdekur e ishin shkaktuar dëme të mëdha material.
