A po japin efekt sanksionet në Moskë?, flet studenti shqiptar që studion atje

Klevis Reshka është një student që po studion në Moskë dhe ai, për Info Magazine, tha se sanksionet e Perëndimit kanë ndikuar në jetën e tyre.

“Jemi pak të shqetësuar në lidhje me sanksionet që Perëndimi i ka vënë Rusisë, më së afërmi nuk do të gjejmë zgjidhje për të pasur mbështetjen ekonomike të familjarëve tanë. Kjo është ajo situatë që na ka shqetësuar disi, shpresoj që të gjendet një zgjidhje në lidhje me këtë sepse nuk do jetë mirë për ne duke qenë të izoluar. Ne jemi veç studentë dhe mundësitë tona janë të kufizuara këtu”, tha ai për Info Magazine.

Por tha se i kanë marrë masat paraprakisht, me të dëgjuar se do të vihen sanksione ndaj shtetit, ku po qëndron.

“Kur dëgjuam fillimisht se çka pritej të ndodhte në lidhje me këto sanksione, ne i morëm paraprakisht masat, për momentin është në rregull, por nuk e di si do të jetë në të ardhmen. Po shikojmë një lloj sistemi që lejon të transferosh pa pasur nevojë për swift, nëpër banka do të lejohet të bëhen transfere pa swift”, shtoi ai.

Ai tha se ka pasur një inflacion të theksuar, ku sipas tij, para situatës së krijuar në mes të Rusisë e Ukrainës, vlera e një euroje ka qenë e barabartë me 85 rubla, ndërkaq tash ajo është e barabartë me 125 rubla.

Reshka tha se në mediat ruse nuk po raportohet direkt se çka po ndodh realisht në Ukrainë, por vetëm me analiza e sondazhe se kush ka të drejtë.

“Media ruse merret me aspektin politik, më shumë me sondazhe kush ka të drejtë, me opinione, me analiza, nuk është se janë në terren për të parë se çka po ndodh brenda Ukrainës”, shtoi ai.

Go to TOP