Takimi i 27 shkurtit mes Kurtit e Vuçiqit, çka pritet të ndodhë të hënën në Bruksel?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel.
Që të dy kanë marrë ftesë për takim nga Bashkimi Evropian, derisa shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia ta pranojnë planin evropian.
Ndërsa, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se duhet të përmbushen obligimet e marra, përfshirë Asociacionin.
Lidhur me takimin dhe pritjet nga ai, për Front Online ka folur Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.
Hoti: Njohja faktike nga Serbia nuk e përmbyll problemin Kosovë-Serbi
Hoti, thotë se nga takimi i së hënës pret zhvillime pozitive, por thotë se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje që parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Parimisht pres konstruktivitet nga të dyja palët. Tashmë po dihet që po flasim për një projekt që është diskutuar dhe detajet e të cilit janë të njohura për Kosovën dhe Serbinë, për Kurtin dhe Vuçiqin dhe se po dua të tingëllojë pak sa optimist me vet faktin që ata janë të njohura me këto detaje dhe kanë pranuar që të marrin pjesë në Bruksel mendoj që do të ketë zhvillime pozitive. Jo, fatkeqësisht ky nuk është rast. Në këto rrethana si duket po gjendet një modalitet i ndërmjem, një modus vivendi që nënkupton një njohje faktike, e njohja faktike nuk është përmbyllje e problemit Kosovë-Serbi”, është shprehur Hoti, për Front Online.
I pyetur se a mund te ketë kompromise të dhimbshme ku mund të preket edhe integriteti territorial i vendit, Hoti ka dhënë këtë përgjigje.
“Aktualisht jo, sepse po flasim për një marrëveshje që tash është në tavolinë. E keqja e kësaj marrëveshje është fakti i mosnjohjes definitive në kuptimin formal të Kosovës nga Serbia, e në staza nuk mund të përjashtohet edhe ky opsion. Asociacioni është pjesë e pakos, pjesë e marrëveshjes dhe nëse arrihet nënshkrimi i marrëveshjes kjo nënkupton para së gjithash edhe çështjen e Asociacionit, nuk negociohet por është pjesë e pakos së marrëveshjes”, ka thënë ai.
Muhaxhiri: Të hënën do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Kurse, analisti politik Artan Muhaxhiri takimin e 27 shkurtit e quan takim më të rëndësishmin deri më tani për kryeministrin Kurti.
Kjo, për shkak që siç thotë ai, mund të ketë një lloj marrëveshje.
“Mbase takimi më i rëndësishmi për kryeministrin Kurti sepse presionet janë shumë të mëdha edhe bashkësia ndërkombëtare me ngulm po kërkon që të ketë një lloj marrëveshje, një dakordim për ta konsideruar si një hap drejt marrëveshjes finale. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe BE-ja po kërkojnë diçka konkrete dhe duket që palët nuk do të mund t’i bishtnojnë këtyre kërkesave, pra sipas gjitha gjasave do të kemi një lloj marrëveshje të hënën, sepse nëse nuk ndodhë kështu çmimi do të jetë i lartë për secilën palë që refuzon marrëveshjen”, ka thënë Muhaxhiri, për Front Online.
Por, se cila do të jetë marrëveshja sipas tij.
“Është e pritshme që të ketë ndonjë zotim, ndonjë shprehje të vullnetit për të shkuar përpara me dialog, por gjithsesi mendoj që nuk mund të anashkalohet as çështja kryesore që është Asociacioni, pra kryeministri Kurti do të duhet të japë ndonjë plan të vetin i cili duhet të jetë brenda kornizave realiste dhe në përputhje edhe me kërkesat e aleatëve tonë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se gjithsesi që temë e takimit do të jetë edhe Asociacioni, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti do të bënte gabim të madh nëse nuk do të pranonte të fliste për këtë çështje.
Dhe, këtë e thotë për një arsye.
“Pa trajtimin e këtij guri të madh në rrugën drejt marrëveshjes nuk do të mund të ketë asnjë rezultat pozitiv. Kryeministri Kurti do të bënte gabim të madh nëse nuk do të pranonte të bisedonte për Asociacionin sepse kështu do të stigmatizohej i fajtor për bllokadë, por ai duhet të ketë plane alternative për atë se si e sheh realizimin e Asociacionit brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe brenda ruajtjes se funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera, Muhaxhiri.
Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin.
Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.
Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.
Po ashtu bëhet e ditur se në fund të takimit do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
