Përkujtoi Oliver Ivanoviq/ Kurtit i reagon Klinaku, ka këto fjalë!

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, në përvjetorin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, ka thënë se ky i fundit “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Por, Klinaku thotë se ka qenë i habitur me ndryshimin e mendimit nga Kurti për Ivanoviç-in.

“Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve”, tha Klinaku për AP.

Ky reagim i Kurtit, është jo veç i pamatur, por edhe i dëmshëm”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se Kosova është shumë etnike.

“Nëse doni ju mashtrohuni. Veç me e quajt tash kriminelin njeri të mirë, domethënë se e ke një zor të madh”.

Gjatë kësaj të hënë, Kurti, përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës.

“Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij”.

Sipas Kurtit, vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë.

“Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviç-in, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen”.

Por, ndryshe nga tash, Kurti gjatë vitit 2015, atëkohë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, pati thënë se i ndjeri ishte angazhuar “për realizimin e planit hegjemon të Serbisë – kolonizimin e Kosovës dhe spastrimi i tij”.

Saktësisht në kohën dhe vendin ku është vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviç të hënën e 16 janarit, familjarët dhe shokët kanë ndezur qirinj, për ta përkujtuar dhe kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Go to TOP