Islami thotë se incidenti në Shtërpcë nuk ka motive etnike
Me 7 janar në komunën e Shtërpcës dy persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Personi i dyshuar për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Të dielën u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës ndaj ushtarit të FSK-së.
Gjykata Themelore në Ferizaj, vendosi një muaj paraburgim për të dyshuarin A.K.
Pas këtij incidenti në Shtërpcë është mbajtur protestë por pa incidente.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Shtërpca është zemra e Serbisë” dhe “Ne duam vetëm paqe”.
Krejt këtë situatë të krijuar, njohësi i sigurisë, Avni Islami po e quan të ekzagjeruar.
Islami ka krahasuar këtë incident me një rast tjetër në kohën e Millosheviqit.
“Ky rast është shumë i ekzagjeruar, drejtësia ende nuk e ka dhënë versionin zyrtarë. Ne ende nuk dimë se çka dhe si ka ndodhur, a ishte rasti në vetëmbrojte apo i ka sulmuar pa paramendim ose mendim. Ky rast ma kujton kohen e Millosheviqit, kur një i ri është rrahur nga vetë serbët dhe u zgjonin në këmbë i tërë pushteti i Serbisë e njëjta po ndodh sot”, u shpreh Islami.
Sipas Islamit, ky incident nuk ka motive etnike.
“Institucionet e Kosovës duhet ta dënojnë por edhe duhet ta presin vendimin e drejtësisë e jo ta paragjykojnë. Serbia do të bëjë përpjekje më e ekzagjeruar ndoshta edhe deri në Kombet e Bashkuara. Por mendimi im është që nuk ka motive etnike e politike”, u shpreh Islami.
