Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës. ×

Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

Po ashtu, foshnjat e sapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me këto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

Në fillim të letrës të siguruar nga Kallxo.com thuhet se fillimisht për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera janë duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punua me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”, ka shtuar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Go to TOP