Reagon opozita pas lirimit të Pantiqit dhe heqjes së barrikadava
Ish policit serb, Dejan Pantiq, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak të mërkurën.
Një ditë pas këtij vendimi, në veri të vendit ka nisur edhe largimi i barrikadave që ishin vendosur 20 ditë më parë nga serbët.
Opozita e po e sheh si të çuditshëm vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Deputetja e AAK-së: Vendimi për Pantiqin e ka kthyer Kosovën mbrapa
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se Kosova po bën hap prapa.
“E çuditshme, gjithë ajo bujë, tash lirimi i Pantiqit. A u bë më ujdi apo ka negociuar dikush për këtë duhet sqarohet. Vendimi e ka kthy Kosovën mbrapa. Eshtë humb autoriteti i shtetit të Kosovës. Po kthehemi në pikën zero. Veprimet të jenë të bashkërenditura me Amerikën dhe faktorin ndërkombëtar”.
Ajo tha se duhet kërkuar sqarim prej Qeverisë nëse vendimi për lirim ishte bërë në ujdi me shtetin e Serbisë.
“Gjitha veprimet Kurtit po çojnë ujë në mullirin e Serbisë. Nuk e kam një informacion. Për këtë duhet të përgjigjet Qeveria e Kosovës”, tha ajo për Front Online.
Xhavit Haliti: Veriu po rrëshqet mbi bazën e gabimeve të bëra nga Qeveria
Ndërkohë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti e mbështeti lirimin e Pantiqit.
“Ka qenë akt i domosdoshëm. Një nga faktorët që e ka krijuar situatën në veri ka qenë arrestimi i tij. S`më kanë pëlqy akuzat publike të politikanëve që akuzonin për terrorizëm. Është dashtë ta bënin organet e drejtësisë”, theksoi Haliti për “Front Online”.
Tensionet e krijuar në Veri, sipas tij, s`i shkojnë pështati Kosovës.
“Kjo ka krijuar një krizë që kosotoja është shumë më e madhe për Kosovën. Ju po e shihni që Veriu po rrëshqet mbi bazën e gabimeve të bëra nga Qeveria. Po rrëshqet ku neve po na dhemb”.
Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
