Avokati: Pantiqit i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

Avokati i Dejan Pantiqit, Nebojsha Vllaiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia [e Kosovës] është e obliguar që të transferojë Pantiqin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se nuk është në dijeni për procedurën gjyqësore nëpër të cilin po kalon Pantiqi.

Megjithatë, ai pyeti se cili prokuror do të miratonte një kërkesë për dërgimin në arrest shtëpiak, për një person, që sipas tij, “ka akuzë për terrorizëm”.

“Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër, do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. A është e arsyeshme, e vendos gjyqësore. Pra, është gjykatësi i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së prokurorit”, tha Kurti.

“Mirëpo, kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar të kuptoj se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, shtoi ai.

Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiq po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiqit.
EULEX i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 23 dhjetor se ende po e shqyrton mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiqit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Pantiqit trajtimin e duhur shëndetësor, por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 22 dhejtor se ai gëzon shëndet të mirë.

Go to TOP