Rrëfimi i shoferit të kamionit me targa serbe që s’u lejua të hyjë në Serbi
Dy kamionë me mallra me targa të Serbisë janë kthyer për në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdar.
Kjo pasi Policia serbe nuk i ka lejuar të kalojnë Merdarin për shkak të barrikadave të vendosura atje në pjesën e Serbisë.
Gazetari i Tëvë1, Arton Rama ka biseduar me njërin prej shoferëve të kamionit, i cili ka treguar se kanë pritur 5 orë para barrikadës, teksa para gjysmë ore janë kthyer nga Policia serbe për në Kosovë.
Sipas shoferit, barrikadat janë ende në pjesën e Serbisë 2 km larg Merdarit.
“Kemi prit 5 orë para barrikadës. Ne ishim duke shkuar për në Beograd që të marrim mall. Para 30 minutave erdh Policia serbe dhe na thanë që duhet me u kthy mbrapa (për në Kosovë), edhe erdhëm. Barrikadat janë ende aty, 2 km larg pikës kufitare. Shumë persona gjenden afër saj”, ka deklaruar ai.
Është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdarë për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët në pjesën e Serbisë.
