Zemaj për VV e Vitinë: Po i ndërrojnë qëndrimet, po bëjnë ndryshime për të keq
I pyetur se si e komenton deklaratën e Vitisë i cili në kohën sa ishte kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, deklaroi se asnjëherë nuk do të kthehet në ministri, Zemaj tha se as Vitia e as Lëvizja Vetëvendosje nuk po e bëjnë atë që e kanë thënë por vetëm të kundërtën.
“Kjo është në pjesën e përgjithshme dhe qasjen që e ka tash Lëvizja Vetëvendosje, asgjë nga atë që e kanë thënë nuk janë duke e bërë tani ose janë duke e bërë të kundërtën, jo vetëm në këtë rast por edhe në të gjitha rastet tjera dhe ky ndryshim fjalësh ose ndryshim qëndrimesh dhe kjo është ndryshim për të keq, jo për të mirë”, ka shtuar Zemaj.
Thotë se me riemërimin e Vitisë, doli në sipërfaqe gjithë ajo që e kanë thënë në vazhdimësi se ish ministri Rifat Latifi ishte i luftuar nga grupet e interesit.
Derisa shton se Komisioni Ekzekutiv nga kryeministri Albin Kurti ishte emëruar për t’ia marrë kompetencat ish-ministrit Latifi.
“Tash doli në sipërfaqe ajo çka kemi thënë në vazhdimësi, duket që ministri Latifi ishte i luftuar nga grupet e interesit dhe nga prapavija e gjithë kësaj çka ndodhi. Komisioni ishte për të mbuluar dështimet dhe për të minuar në një farë forme për t’i marrë kompetencat edhe ato pak që i kishte ministri, derisa ai u detyrua të dorëhiqet ose të shkarkohet edhe të largohet në kuptimin edhe politik. Komisioni edhe ashtu ka qenë i panevojshëm sepse kryeministri kaloi edhe në pjesën që është pjesë e punës ditore dhe në mbikëqyrjen e hyrje-daljeve të mjekëve dhe personit shëndetësor”, është shprehur ndër të tjera ai.
