Trajkoviq i quan të rrezikshme sulmet ndaj KFOR-it dhe EULEX-it
Përmes një postimi në Twitter, Trajkoviq ka thënë se paraqet rrezik për sigurinë e komunitetit trendi i rritjes së tensioneve duke e sulmuar KFOR-in dhe EULEX-in.
“Barrikadat nuk janë heroizëm apo përgjigje autentike e popullit (siç e prezantojnë edhe disa media të pavarura), por rezultat i politikave të gabuara të Beogradit dhe Prishtinës. Trendi i rritjes së tensioneve ndërmjet serbëve të veriut [të Kosovë] dhe KFOR/EULEX-it, përveç që është pa qëllim, është i rrezikshëm edhe për sigurinë e komunitetit”, ka shkruar Trajkoviq.
Madje ajo ka deklaruar se nuk ka qetësi në veri të vendit pa kthimin e serbëve lokal në Policinë e Kosovës, teksa shtoi se kushdo që e mohon nuk ua dëshiron të mirën serbëve.
“Nuk ka qetësi të veriut pa kthimin e serbëve lokal në Policinë e Kosovës. Kjo është e qartë dhe kushdo që e mohon, nuk u dëshiron të mirën serbëve në veri. Ka dy prioritete: kthimi në Policinë e Kosovës dhe gjetja urgjente e një kompromisi për AKS-në (ashtu siç rekomandohet nga DAS Gabriel Eskobar). Alternativa është një konflikt që do të na kushtojë shumë të gjithëve”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, të dielën një ekip i KFOR-it është sulmuar në Zubin-Potok.
KFOR-i ka konfirmuar se të dielën në mbrëmje afër një patrulle të tyre ka pasur të shtëna me armë zjarri në Zubin Potok. Për media KFOR-i ka deklaruar se nuk ka pasur të lënduar e as dëme materiale, nga të shtënat afër patrullës së tyre.
