Abdixhiku thotë se Kosova po udhëhiqet nga populistët, prandaj prezenca e LDK-së është jetike
Në 33-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka thënë se kontributi që ka dhënë LDK-ja është shumë i madh, duke kujtuar edhe prijësin e saj, Dr.Ibrahim Rugova.
Ai ka thënë se krahas veprimeve për ta fituar lirinë, LDK-ja është angazhuar edhe për ndërtimin e vendit edhe në rrugëtimin për demokraci, raporton Zeri.info.
“Ky mision u kurorëzua me arritjen më të madhe të popullit të Kosovës, shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, e me njohjen ndërkombëtare të realitetit shtetar të Republikës së Kosovës.Pas pavarësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte fondamentale në forcimin e kësaj shtetësie të re; nëpërmjet anëtarësimeve në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, politike, kulturore e sportive. LDK ndërtoi shtyllat e orientimeve kontraktuale me BE-në, si aspiratë e patjetërsueshme e popullit të Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Ai pati edhe disa kritika për Qeverinë, duke thënë se tani Kosova udhëhiqet nga populistë, që sipas tij nuk po bëjnë asgjë për ta zhvilluar Kosovën.
“Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 33 vjet”, u shpreh ai ndër të tjera.https://zeri.info/inarticle.html
Ai ka thënë se Kosova në këtë kohë është duke u përballur me kriza të njëpasnjëshme, si kriza ekonomike, kaosi energjetik, rrënimi i sistemeve jetike dhe përplasja me aletatë
“Prandaj sot e dy vite, në gjithë Kosovën nuk ke një vendpunishte ku shteti bën një punë. Rrugët kanë mbetur të njëjta, shkollat, çerdhet, spitalet e termocentralet e domosdoshme për vendin nuk kanë marrë asnjë vëmendje tash e dy vjet. Prandaj sot Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar. Prandaj sot papërballueshmëria e qytetarëve tanë është e rëndë”, ka thënë Abdixhiku ndër të tjera.
