PDK e shqetësuar që po krijohet një “realitet i ri” në veri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka zhvilluar sot një takim me Këshillin Politik të partisë së tij, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ai ka thënë se PDK-ja është e shqetësuar për “realitetin e ri” që po krijohet në pjesën veriore të Kosovës.

“Injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve. Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia”, është shprehur Krasniqi.

Në këtë takim është theksuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.

“Në një takim të ndarë kam takuar edhe Kryetarët e Degëve të PDK-së, me të cilët diskutuam për zhvillimet politike, projektet komunale dhe, me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK. Me Kryetarët e Degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, shkroi ai në rrjetin social Facebook

Go to TOP