Filipoviç: Respekt për serbët që i bashkohet Qeverisë së Kosovës, Serbia i përdorë si levë për interesat e veta

Analisti malazez Ljubomir Filipoviç, ka shkruar në Twitter se ka respekt për Nenad Rashiç-in, i cili u emërua ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Unë mund të shpreh vetëm respekt për liderët serbë që vendosën t’i bashkohen qeverisë së Kosovës”, shkroi ai në Twitter.
Për Filipoviç, “ky është një akt trimërie”.

“Qeveria serbe nuk kujdeset për serbët në Kosovë, po i përdorë si levë për interesat e veta. Ashtu si Rusia përdor Serbinë”, shtoi ai.

Rashiç zë vendin e Goran Rakiç-it, i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit pasi muajin e kaluar, Lista Serbe vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.


Por, Lista Serbe ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka emëruar Nenad Rashiç-in, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Përmes një reagimi për media, Lista Serbe theksuar se vendimi i Kurtit është antikushtetues dhe se ky i fundit po i shkel marrëveshjet e Brukselit.
“Me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serbë, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, Rashiç nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagim.
Edhe Bashkimi Evropian, emërimin e politikanit serb, Nenad Rashiç, si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si jo-kushtetues.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se emërimi i ministrave, në veçanti atyre që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, duhet të bëhen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“BE-ja dhe shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të sigurojë që të gjitha hapat e nevojshëm procedural gjatë emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitet joshumicë janë respektuar plotësisht”, ka thënë Stano.

Go to TOP