‘Lista e kobshme’, vrasjet tronditëse të grave ndër vite në Kosovë

Në Kosovë, ndër vite janë shënuar histori të vrasjeve tejet tronditëse, ku viktima kanë qenë gratë. Që nga 2008 e këtej, në pothuajse secilin vit ka ndodhur së paku një ngjarje e kobshme, ku gratë janë vrarë mizorisht nga burrat e tyre. Syri net Kosova ju sjell një përmbledhje që nga ajo kohë, ku listën e‘zezë’e hap, Igballe Llaloshi, për ta përmbyllur skajshmërisht shokues me Hamide Magashin.

Igballe Llalloshi 2008
Ferki Ibrahimi akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë. Sipas aktakuzës, ai kishte vrarë ish-gruan e tij, mjeken Igballe Lalloshi. Vrasja, sipas aktakuzës, është kryer për motive të ulëta dhe motive fetare.
Diana Kastrati maj 2011
Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës për të kërkuar urdhër-mbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Kjo pasi Kastrati, ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, kjo urdhër-mbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale. Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj. Tash e 11 vjet, i dyshuari për vrasjen e Diana Kastratit është në liri. Ai jeton në Spanjë, dhe përkundër që kërkohet nga INTERPOL-i, nuk mund të ekstradohet në Kosovë, për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Një dekadë pas vrasjes, gjykata e kishte obliguar shtetin që familjes së Kastratit t’ia paguajë 95 mijë euro si dëmshpërblim.

Antigona Morina korrik 2011
Gjykata, Prokurori, e të tjerë të përshirë në lirimin e Hilmi Zenës, që dyshohet se me mosveprimet e tij, vrau bashkëshorten Antigona Morina, nuk kanë pranuar të marrin përgjegjësi për rastin. Antigona vdiq 6 vjet më parë, tri ditë pasi u martua, për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, e burri i saj Hilmiu nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore së ndjerës.Për më keq, ai kishte vazhduar marrëdhënie seksuale me të.

Donjeta Pajazitaj nëntor 2015
Ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët. Personi i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj është kusheriri i saj, Naser Pajazitaj.

Zejnepe Berisha dhjetor 2015
Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur. Pak ditë pas vrasjes, në publik dolën detaje të reja. Zejnepe Berisha e kishte raportuar me dhjetëra herë në Polici dhunën në familje, por që i dyshuari sërish ishte lënë në liri.Fillimisht Nebih Berisha ishte dënuar me 12 vjet burgim, vendim që solli protesta e reagime në Kosovë vite më parë. Ndërkaq, Gjykata e Apelit më pas ia kishte shtuar edhe 5 vjet dënim, duke bërë që dënimi final të arrinte në 17 vjet burgim. Edhe në këtë rast, askush nuk dha përgjegjësi në lidhje me mos-veprimin e shtetit, si dhe dështimin për t’ia ofruar sigurinë Zejnepe Berishës.

Dafina Zhubi, shkurt 2016
Në mbrëmjen e 17 shkurtit të këtij viti, në një banesë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, u gjet e vrarë 34-vjeçarja Dafina Zhubi, kuurse i dashuri i saj iu tregoi prokurorit e hetuesve se si ndodhi rasti. A.D. i cili ishte bashkë me të dashurën e tij Dafina Zhubi, ka deklaruar se ajo u vetëvra me armën e tij pasi, tentoi ta mbys veten edhe dy herë të tjera. Por të kundërtën e kësaj e thotë ekspertiza e forenzikës, që tek tani bashkë me xhirimin e vendit të ngjarjes iu dorëzua familjarëve të së ndjerës dhe avokatit. Pas ekzaminimeve në këtë raport thuhet se nuk është gjetur prania e nitriteve dhe nitrateve që janë të pranishme pas qitjes me armë zjarri me prejardhje nga barutet.Po e njëjta armë u testua nga 5 persona të tjerë, të cilët pasi gjuajtën me të, u gjetën grimcat e pluhurit të plumbit në duart dhe rrobat e tyre. Jo profesionale avokati e cilëson edhe deklaratën e mjekoligjorit të dhënë në prokurori pas autopsisë së kufomës së të ndjerës.

Flora Omuri, korrik 2016
Telashet përpara dyshohet se kishin qenë shkak i grindjeve për 7 vite martesë mes çiftit nga Ferizaj, Hajriz Bajrami dhe Flora Omuri. Por, një grindje e tillë, në orët e para të së mërkurës, përfundoi me dy viktima. Hajriz Bajrami qëlloi me tre plumba gruan e tij Flora Omuri, e më pas një tjetër ia shkrepi vetes. Gjithë tragjedia ndodhi në dhomën e tyre të gjumit, në shtëpinë e familjes në dalje të Ferizajt.

Sevdije Berisha, nëntor 2017
Në disa faqe dokumente prokuroria e Pejës ka përshkruar rrethanat në të cilat u plagos për vdekje Sevdije Berisha dhe reja e saj shtatzëne. Dokumenti flet për plagosjen mizore të dy grave njëra prej tyre shtatëzënë mëngjesin e 17 nëntorit. Sevdije Berisha nga Peja vdiç në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas plagëve të marra nga sulmi që i kishte bërë bashkëshorti i saj, Isen Berisha.Sipas këtij dokumenti, Berisha kishte goditur gruan e tij me sëpatë më datën 17 gjatë kohës kur ajo po flinte. Për motivet që dyshohet se janë raportet e këqija me bashkëshorten ai kishte goditur atë disa herë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Gjithnjë sipas prokurorisë, Berisha kishte sulmuar edhe bashkëshorten e djalit të tij të quajtur Arlinda e cila kishte bërtitur për ndihmë pas sulmit fillestar ndaj vjehrrës së saj. Arlinda e cila ishte shtatëzënë u godit në kokë dhe në krahun e majtë me sopatë. Prokuroria e Pejës më 17.11.2017 ka nisur hetimet ndaj Berishës për veprën vrasje e rëndë e mbetur në tentativë. Në anën tjetër, Isen Berisha është i hetuar edhe për armëmbajtje pa leje pasi sipas prokurorisë atij i është gjetur një pushkë gjysmë automatike.

Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, gusht 2018
Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj. Valbona kishte tentuar të kontaktojë me Policinë për kërcënimet ndaj saj, por që dilemat u shfaqën se Policia nuk e kishte kryer punën si duhet. Edhe pse u dorëzua kallëzim penal ndaj policëve me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk pati rezultat pasi u konstatua se s’pati shkelje. Çifti kishte pasur probleme edhe në të kaluarën. E shtetin e bëri direkt fajtor vëllai i Valbonës, Shkëlzen Marku. “Shteti ka dështuar t’i ofrojë ndihmë motrës sime, veç se janë shtetase të Shqipërisë”, kishte thënë ai.

Armenda Aliu, gusht 2019
Armenda Aliut u vra nga bashkëshorti i saj në Prizren. Familjarët duke thanë se nuk kanë pasur njohuri që çifti të ketë pasur probleme më parë.

Sabile Mavrovqani, korrik 2020
Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020 u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje. Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike, deri në vrasje. Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve. Tragjedinë e bënin më të madhe dy fakte: e para që gruaja kishte qenë në lindje vetëm pak javë më parë. Kurse, tjetri është që Nuhi Mavrovqani kishte qenë i dënuar edhe më herët për dhunë në familje dhe vepra të tjera penale. Sërish, shteti dështoi t’i ofronte siguri gruas nga Kamenica. Nuhi Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por më pas atij iu zbut dënimi në 25 vjet burgim.

Sebahate Morina Sopi, mars 2021
Në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë. Megjithatë, Prokuroria nuk e mori këtë rast me seriozitet, dhe Sebahate Sopi më pas u vra. Dështimin e shtetit e kishte konfirmuar edhe Avokati i Popullit, kurse tashmë vajza e Sebahates i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese. “Kështu, L.S kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Sebahate Morinës, ku më pas kishte vrarë edhe veten. Në raport thuhet se si pasojë e dhunës së vazhdueshme në familje, palët kishin filluar procedurat e shkurorëzimit. Tashmë e ndjera, Sebahate Morina, kishte raportuar dy herë rastin e dhunës në familje, por autoritetet përkatëse nuk e kishin trajtuar rastin me seriozitet”, thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.

Marigona Osmani, gusht 2021
18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dhunuar e rrahur fizikisht deri në vrasje. I dashuri i saj Dardan Krivaqa, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Osmanit, duke e lënë të vdekur. Dardan Krivaqa ishte person me të kaluar kriminale. Ai ishte dyshuar për vjedhje e sulm ndaj një polici, por që drejtësia e kishte lënë të lirë. Ai ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, për 6 vite duke mos u trajtuar si duhet rastet e tij gjyqësore edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje. Babai i Marigona Osmanit kishte deklaruar se nëna e Krivaqës kishte fuqi dhe ndikim, që kishte bërë që ai të mbetej në liri. Për të gjitha këto raste të paraqitura në këtë artikull, e as për rastin e djeshëm ku i dyshuari ka precedan kriminal, nuk ka pasur asnjë masë ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, apo akterëve të tjerë të sigurisë e drejtësisë të përfshirë në këto raste.

Lirie Qerimaj, janar 2022
Në janarin e këtij viti, Lirie Qerimaj ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj. Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici. Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, Skender Qerimaj. Lirije Qerimaj ishte lënë në një shtëpi me të burrin e saj, i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte raportuar.

Sanije Godanci, nëntor 2022
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Prishtinë. Sadije Godenci, 63-vjeç ka humbur jetën, pasi dyshohet se u qëllua për vdekje me sëpatë në banesë nga bashkëshorti i saj Izet Godeni, 70-vjeç. Pas kryerjes së krimit, 70-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici. Njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor shkuan menjëherë në vendngjarje, në banesën e çiftit ku gjetën dhe trupin e viktimës. Ende nuk dihet motivi i kryerjes së këtij krimi të rëndë, ndërsa hetimet vijon.

Hamide Magashi, nëntor 2022
Një krim i dyfishtë ka tronditur pasditen e së mërkurës Kosovën. 35-vjeçarja Hamide Magashi, e cila ishte edhe shtatzënë, është vrarë me armë para klinikës së gjinekologjisë në Prishtinë. Dyshohet se ajo është qëlluar nga ish-bashkëshorti i saj me të cilin ishte divorcuar ndarë disa muaj më parë. Çifti kishte qendruar vetëm 4 muaj martuar, kohë gjatë së cilës e reja kishte mbetur shtatzënë. Më pas për shkak të mosmarrëveshjeve ata ishin ndarë. Prej asaj kohe 35-vjeçarja kishte jetuar në shtëpinë e prindërve të saj, ndërsa ishte para paraqitur në spital për të kryer vizitat e fundit, para se të lindte javën e ardhshme. Rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë janë ende të paqarta, ndërsa policia vetëm sa ka konfirmuar krimin e dyfishtë por pa dhënë detaje për dinamikën dhe motivet e vrasjes. Në njoftimin për mediat policia tha se në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes, ndërkohë që nuk ka bërë të ditur nëse është arrestuar autori i dyshuar.

Go to TOP