Kështu mbusheshin stadiumet e Kosovës gjatë viteve ’80

Kosovarët njihen si futbolldashës në përgjithësi. Ata me dashuri ndjekin ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në futboll, madje nuk ka numër të mjaftueshëm të biletave për t’i përmbushur kërkesat e shumta.

Para se Kosova të pranohej në institucionet e futbollit FIFA dhe UEFA, tifozët kosovarë mbushnin stadiumet e Shqipërisë për t’i ndjekur ndeshjet e kombëtares kuq e zi. Duhet theksuar se pikërisht tifozët nga Kosova u bënë shkaktarë që të ndizej pasioni për Kombëtaren e Shqipërisë edhe te tifozët nga Shqipëria.
Kualifikimi historik i Ballkanit të Suharekës në Ligën e Konferencës, bëri që të mobilizohej një Kosovë e tërë, për ta mbushur plot e përplot stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Megjithatë, kur jemi te mbushja e stadiumeve, e njëjta nuk mund të thuhet se ndodh edhe në ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll. Përjashto rastet kur kemi ndonjë ndeshje mes dy ekipeve në luftë për titull, ose derbin lokal të zjarrtë të Anamoravës mes Gjilanit e Dritës, në ndeshjet tjera, shihet një ‘bojkotim’ i theksuar i stadiumeve, shkruan Syri.net Kosova

Në të kaluarën, stadiumet e Prishtinës, Gjakovës, Mitrovicës e Prizrenit mbusheshin plot. Si për ndeshjet në nivel lige të Kosovës, e mos të flasim për ndeshjet kur Prishtina luante me ekipet ‘elitare’ të ish-Jugosllavisë.

Fotografi i njohur, Ilaz Bylykbashi, ka publikuar disa fotogravi nga arkiva, që shfaqin më së miri dashurinë e kosovarëve për futbollin dhe ekipet kosovare, që garonin atëbotë.

“Kështu mbusheshin stadiumet futbollistike në Kosovë gjatë viteve 1980-ta: Prishtina e Prishtinës, Trepça e Mitrovicës, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit dhe Gjilani i Gjilanit!”, ka shkruar ai në FB.

Më poshtë keni disa fotografi nga arkiva:

Go to TOP