Krasniqi: Raportet e Kosovës me Amerikën janë shumë të lënduara

Të hënën, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të udhëtojë në Evropë e në Amerikë, ku do të zhvillojë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, Zëvendës-Ndihmës Sekretarin amerikan për Evropën, Gabriel Escobar, senatorë e kongresistë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, edhe një herë tjetër u potencua nga këshilltar të Presidentit amerikan se e ka zhgënjyer këtë shtet mik të Kosovës.
Kjo rezultoi edhe me shtyrjen e vizitave në ShBA, të disa ministrave të kabinetit të Kurtit, gjë që u konfirmua edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Megjithatë, udhëtimi përtej oqeanit, nuk do të jetë problem për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ai, të hënën do të niset për në Bruskel e më pas edhe në Uashington, e që temë në takimet e tij do të jetë situata e tensionuar e sigurisë në komunat veriore të Kosovës.

“Tema kryesore në këto takime do të jetë situata e rënduar në veri të Kosovës, potenciali për përshkallëzim të situatës atje, por mbi të gjitha tendencat dhe nevojat për angazhim për ta kthyer normalitetin atje dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.

E të njëjtën ditë edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të bëjë udhëtime të ngjashme.

Por, kreu i PDK-së, ka treguar se agjenda e tij është e ndarë nga ajo e Abdixhikut.

“Nuk kemi planifikime që të kemi takime të përbashkëta, unë dhe Lumir Abdixhiku e kemi agjendën e ndarë, megjithatë është shumë pozitive që të dy do të kemi vizita të kësaj natyre”, ka shtuar kryetari i PDK-së.

Krasniqi, ka shtuar se me Albin Kurti në krye të Qeverisë, janë lënduar së tepërmi raportet ndërmjet Kosovës dhe aleatit të saj kryesor, SHBA-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të takohet me të dërguarin e posaçëm të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe me senatorë e kongresistë amerikan.

Go to TOP