Elvis Hoxha i reagon Molliqajt: Sipas tij, Reçaku ka ndodhur për njësimin e targave
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, mbrëmë ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos rrëshqasë në pozicione fashiste kur merret me serbët e veriut. Në këtë kontekst ai bëri edhe një deklaratë që nxiti reagime në opinionin publik.
“Problemi në veri nuk mund të trajtohet me përdorimin e forcës dhe fuqisë. Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”, ka deklaruar Molliqaj.
Kësaj deklarate i ka reaguar anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, i cili përmendi Masakrën e Reçakut për të ironizuar me krahasimin që bëri Molliqaj.
“Sipas Dardanit të Psd-së, Reçaku ka ndodhur për njësimin e targave”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
Molliqaj po ashtu tha se me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës është dëshmuar që veriu kontrollohet nga Serbia, por shtoi se nuk mund të thuhet që të gjithë serbët janë të instrumentalizuar.

