Abuzimi i tregtarëve kosovarë nxit ndërhyrjen e pazakontë të qeverisë në kufizime çmimesh e sasish

Në krizat që Kosova ka kaluar janë marr vendime ‘ad hock’ nga qeveria të cilat nga ekspertë të fushave janë kritikuar duke mos u vlerësuar si të duhurat. Edhe tash kur shporta e konsumatorit kosovar është varfëruar së tepri nga rritja enorme e çmimeve me të cilat po abuzojnë tregtarët, Kuvendi ka miratuar një ligj që mes tjerash cakton çmim tavan dhe kufizon blerje në sasi të disa produkteve. Por një ligj si ky nuk është se i rreshtoi në përkrahje ekspertët e ekonomisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi po vlerëson se ky vendim mund të jetë një goditje e bizneseve, të cilave do tu ulet dukshëm marzha e fitimit.
“Si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë përshëndesim pjesërisht Ligjin për përcaktimin e çmimeve tavan për produktet themelore në rast të krizave, pasi që i njëjti mund te jetë edhe në dëm të bizneseve të cilat edhe ashtu po ballafaqohen me një situatë aspak të favorshme për shkak të disa goditjeve të vazhdueshme të cilat kanë marrë në mesin e të cilave vlenë të ceket pandemia, lufta në Ukrainë, ngritja e çmimeve të secilit produkt jo vetëm”

“Përmes këtij Ligji është përcaktuar llogaritja e marzhës së fitimit për bizneset në produktet themelore, ku DHTIK konsideron se një Projektligj i tillë i miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ulë dukshëm marzhën e fitimit në produktet kryesore tek bizneset dhe të njëjtat mund të detyrohen që të mos importojnë këto produkte sepse në këtë rast nuk do të kenë fare fitim. Vlenë të ceket se për dallim nga vitet e kaluara kur produktet themelore dhe ato të luksit kanë qenë krejtsisht në tjetër nivel të konsumit nga konsumatorët, tashmë shume produkte të luksit janë jashtë përdorimit mirëpo vërehet një rënie e theksuar e blerjeve edhe tek produktet themelore duke mos përfshirë produktet esenciale” ka thënë ai për Syri net Kosova.

Krasniqi ka theksuar se projekligji nuk do të duhej të miratohej në Kuvend pa një koordimin fillestar me Dhomat Ekonomike, të cilat sipas tij njohin më së miri problemet që i atakojnë bizneset në vendin tonë.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron se vendimi për kalimin e një Projektligji të një rëndësie të tillë nuk do të duhej të miratohej nga Kuvendi, pa shqyrtim të detajizuar nga të gjitha palët e interesit konkretisht nga Dhomat Ekonomike të cilat njohin më së miri brengat dhe problemet me të cilat po atakohen bizneset. Sigurisht që nëse do të merreshin parasysh të gjitha sugjerimet e propozuara nga palët e interesit që direkt preken nga zbatueshmëria e këtij Projektligji tashmë të miratuar, përveçse do të mbronte interesat e qytetarëve do të lehtësonte edhe operimin e biznesit”, ka shtuar ai.

I një qëndrimi me Krasniqin është edhe kryetari i Alenacës së Bizneseve Kosovare, Agim Shahini i cili po konsideron se vendimi i qeverisë është ndërhyrje direke në ekonominë e tregut. Sipas Shahinit diçka e tillë e shtyn Kosovën që të rrëshqas nga ekonomia e tregut të lirë në atë të planifikuar shtetërore.

Më tej ai thekson bindshëm se pasojat e këtij vendimi do të jenë të asaj natyre që do të dërgojnë në falimentim shumë kompani.

“Aleanca e vlerëson veprimin e qeverisë për ndërhyrje te disa produkteve për përcaktim të çmimit tavan si ndërhyrje në ekonominë e tregut, ndërhyrje drejtpërdrejt në planifikimin ekonomisë së tregut. Konkurrenca dhe kërkesa, nga odera dhe kërkesa e bëjnë që Kosova dal nga dal të rrëshqet nga ekonomia e lirë në ekonomi të planifikuar shtetërore. Kjo e dëmton biznesin kur kihet parasysh që shumë produkte të cilat janë të parapara për tavan në çmim janë produkte me afat të shkurtë për skadim, janë produkte që dëmtohen gjatë transportit dhe gjatë qëndrimit dhe bizneset do të vënë në pikëpytje ekzistencën e tyre dhe sidomos ato kompani të cilat kanë planifikuar punësim më të madh e qarkullim më të madh. Me marzhat e limituara bizneset mund të mos ekzistojnë”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

E një linjë më qëndrimet e sipërpërmenduara është edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë se se me kufizim sasior dhe caktim të çmimeve bizneset e vogla nuk do të mund të mbijetojnë dhe sipas tij, ligj jo vetëm që është Anti-Kushtetues, por edhe e dëmton ekonomin e tregut.

“Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale, në rendë të dytë agjenda politike është duke dominuar dhe problemet ekonomike po preken vetëm shkarazi dhe jo në substancë dhe në këtë drejtim rekomandimet e eksperteve po hasin në vesh të shurdhër. Po e them me përgjithësi se Ligji për produktet esenciale në rend të parë është anti-Kushtetues, në rend të dytë është një ligj i cili e dëmton ekonomin e tregut dhe në rend të tret më vjen keq që shumë ekspert të ekonomisë dhe thonë që Kosovës i duhet një ligj i tillë, jo vetëm që po dëmtohet sektori privat por po dëmtohen edhe qytetarët e Kosovës dhe monitorimi i këtij ligji do të jetë i zbehët”, është shprehur ai.

Kujtojmë që me 64 vota për, asnjë kundër e abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e djeshme kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazike. Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pati theksuar se ky ligj është hartuar për shkak të rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë, duke shtuar se do të aplikohet në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Go to TOP