Vendimi i Qeverisë për targat: As në përputhje me kërkesën e SHBA-së, as në favor të uljes së tensioneve
Pak ditë më parë, më saktësisht të premten e javës së kaluar, Qeveria e Kosovës morri vendim të ri për targat ilegale në Kosovë, implementimi i të cilit është paraparë të bëhet në tri faza.
Këto faza do të hyjnë në zbatim nga sot, data 1 nëntor, dhe do të përfundojnë me 21 prill të vitit të ardhshëm, kur edhe pritet të mos ketë më qarkullim të makinave me targa ilegale.
Në lidhje me këtë, Kurti ka thënë se, nuk është shtyrë, por se pas konsultimeve të vazhdueshme me institucionet që janë të sektorit të sigurisë, është ardhë në përfundimin që është më së miri të miratohet vendimi i ri, të cilin e ka quajtur “sekuencim” dhe “shkallëzim”.
Po ashtu i pari i qeverisë ka deklaruar se, ndërkombëtarët kanë konfirmuar se vendimi i ri është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dhe se ky vendim garanton sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë.
“Qeveria jonë miratoi sot zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, qëndrimi dhe kërkesat e ndërkombëtareve, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe të Bashkimit Evropian, kanë qenë dhe janë të kundërta nga deklarimet e qeverisë.
Një opinion i mëhershëm i cili përfaqësonte qëndrimin e SHBA-ve, ishte ai i të dërguar të posaçëm Gabriel Escobar, i cili kishte deklaruar se qeverisë së Kosovës i ishte kërkuar që të shtynte vendimin për targa, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira zbatimi.
“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUNT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, ka thënë Escobar.
Edhe pse ky qëndrim i të dërguarit të SHBA-ve, ishte para se të merrej vendimi i ri nga ana e qeverisë, një deklarim tjetër u bë pas vendimit.
Ky deklarim, u bë nga Departamenti amerikan i Shtetit, ku u tha se SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara me vendimin e ri të qeverisë.
Në deklarimin e DASH-it, shtrohet përsëri kërkesa që të zgjasë afatin për targat, duke lënë anash konfiskimet dhe gjobat.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në komunikatën e DASH-it.
Krah qëndrimit të SHBA-ve për këtë çështje, është rreshtuar edhe Bashkimi Evropian.
BE-ja në reagimin e saj, ka mohuar deklarimin e Kurtit, duke thënë se ky vendim është pjesë e dialogut që është i detyrueshëm për Kosovën dhe Serbinë.
“Kemi thënë se ky vendim është një hap në drejtimin e duhur, por nuk është pjesë e dialogut që është i detyrueshëm për të dyja palët”, është thënë nga BE-ja.
Pos mohimit të deklarimit të Kurtit, nga BE-ja është bërë thirrje që palët nga Kosova dhe Serbia, të qëndrojnë të qeta.
“Ne përsëri u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë të qetë në mënyrë që të mos ketë tensione të reja në terren”, theksoi Masrali.
Megjithatë, pavarësisht thirrjes se BE-së e SHBA-ve, për shtyrje e qetësi, qeveria e Kosovës tashmë ka filluar implementimin e vendimit për targat.
Reagime në lidhje me këtë kanë ardhur edhe nga ana e Serbisë.
Një reagim i tillë ka ardhur nga Lista Serbe, nga ku është thënë se dënimet që do të shqiptohen për ata që kanë targa ilegale, do të bëjë që ketë reagime dhe rezistencë të ashpër nga serbët.
“Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar qortime dhe dënime të tjera ndaj serbëve që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga kjo zonë duam t’i themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobave do të jetë shkas për reagimin dhe rezistencën e ashpër të popullit serb, sepse jemi të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të pushtetarëve nga Prishtina”, është thënë nga Lista Serbe.
Tjetër reagim nga Serbia, ka ardhur edhe nga Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se, ky shtet do të marrë përgjegjësi për të gjitha problemet dhe se, ushtria e Serbisë është shumë herë më e fortë se ç’ka qenë.
“Serbia është vend serioz, ajo merr përgjegjësinë për të gjitha problemet e mundshme. Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk nënkupton se ne jemi të dobët, se mund të na ngacmojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet të dijë populli është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë se sa ishte, meriton respekt dhe vepron në koordinim me kryeshtetasit. Ne duhet të punojmë për staf më të madh, armë më të forta, trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, ka deklaruar ministri i Vuçiqit.
Duke parë reagimin e ndërkombëtarëve, mospërfilljen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë së Kosovës, po shihet si një qasje e gabuar pasi që, ky qëndrimi i qeverisë mund ta vendos Kosovën në pozitë të palakmueshme në raport me SHBA-të.
Duhet shtuar se, nuk është hera e parë që Kurti ka një qasje të tillë ku ka injoruar kërkesat e SHBA-së.
Dy raste të tjera që theksohen në këtë rast, janë kundërshtimi i kryeministrit Kurti, për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë që është arritur në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të vitit 2020, e cila njihet si marrëveshje për normalizim ekonomik. Rasti tjetër, është thirrja e SHBA-së për formimin e Asociacionit, thirrje e cila po ashtu po injorohet nga Kurti.
Duke pasur parasysh qëndrimin e perëndimorëve që duhet të krijohen kushte më të mira për zbatimin e vendimit për targa dhe qëndrimin e serbëve për reagimet që do të bëhen, deri tek ato ushtarake, deklarimi i Kurtit se ky vendim do të garantojë siguri, duket të jetë vështirë real.
Kësaj mund t’i shtohet edhe fakti se, javë më parë, KFOR, që ka afër 4.000 ushtarë në Kosovë, ka rritur prezencën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas rritjes së tensioneve.

