Osmani: Kosova me aleatët, jo tensioneve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë në kontakt të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë kjo në raport me çështjen e targave të makinave konvertimi i të cilave nga ato që i lëshon Serbia në ato RKS ( Republika e Kosovës) ka afat deri më 31 tetor.
“Tensionet natyrisht që i ka për qëllim Serbia, por ne po punojmë me partnerët tanë që ato t’i parandalojmë”, tha Osmani, të premten, kur u pyet nga Klan Kosova se nëse ka rrezik për tensione në veri të vendit.
Disa orë pas kësaj deklarate të kryetares së Kosovës reagoi homologu i saj serb kur priti presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
“Jam shumë i shqetësuar. E kam parë edhe konferencën e djeshme të presidentes Von Der Leyen me zonjën Osmani e cila shfrytëzoi atë rast që të flet kundër Beogradit dhe Serbisë. Unë nuk dua ta bëjë këtë, unë kurrë nuk bëjë diçka të tillë. Po ju them që ne do të bëjmë gjithçka që të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha Aleksandër Vuçiq.
Paraprakisht, të premten, kryetari i Serbisë priti në takim admiralin Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Pas krejt takimeve që i kishte për dy ditë në Beograd, Bauer deklaroi të premten vonë pasdite se NATO-ja, më saktësisht misioni KFOR, është gati për të kryer detyrën e tij e që është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai shtoi se KFOR-i, sipas vlerësimeve të komandantit të misionit paqeruajtës, ka trupa të mjaftueshme në terren dhe aty gjithnjë janë dhe trupat rezervë.

