Rama për Manifestën: Përjetuam një Prishtinë të larmishme, jeta kulturore u gjallërua
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur gjatë konferencës përmbyllëse të Manifestës 14, duke thënë se kjo e vendosi Prishtinën në qendër të mediave botërore në fushën e artit e kulturës.
“Këtë verë, për gati 100 ditë me radhë, për të parën herë në Ballkan, Manifesta, Bienalja më e madhe evropiane, me renome botërore, e pati shtëpinë në kryeqytetin tonë. Ishte privilegj shumë i veçantë që kryeqyteti ia hapi dyert manifestës dhe përgjatë këtyre 100 ditëve përjetuam një Prishtinë të larmishme, me aq shumë ekspozita, me aq shumë intervenime, punëtori, programe dhe invente të përzgjedhura, të cilat jo vetëm që na gjallëruan jetën kulturore e artistike, por e vendosën Prishtinën në qendër të mediave botërore në fushën e artit e kulturës, duke na cilësuar si një destinacion të ri e të denjë për vizitorë e për artdashës”, tha Rama.
I pari i kryeqytetit tha se mbi 1,000 gazetarë të huaj nga mediat prestigjioze vizituan Prishtinën para dhe pas hapjes së Manifestës.
“Për herë të parë, Prishtina zuri vëmendjen e mediave botëror, tashmë jo vetëm për makiatot më të mira në botë, as për narrativen e një qyteti të pasluftës, mirëpo për potencialin e jashtëzakonshëm për të krijuar e për të qenë pikë e rëndësishme në skenën kulturore evropiane e botërore”, u shpreh Rama.
“Ky imazh i ri i kryeqytetit jo vetëm se na ndërron, por edhe na shton përgjegjësinë institucionale për të vazhduar më të njëjtat hapa, për të konservuar atë që u arrit bashkë me Manifestën, e për ta marrë si shembull për punë të tjera konkrete që na presin tash e tutje”, shtoi ai.
