Sundimi i ligjit – Qeveria lavdërohet, por ekspertët thonë tjetër gjë
Drejtësisë kosovare që i është lakuar emri vazhdimisht për joefikasitet në punë, megjithatë po i evidentohen shënime pozitive që po e bëjnë të dalluar në Ballkanin Perëndimor. E përparim po shihet edhe nga një organizatë, që po e radhitë Kosovën si vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Kështu si për çdo temë që ka kundërshti mendimesh e interpretimesh edhe kjo nuk u shpëtoi ballafaqimeve sidomos atyre në rrjete sociale.
Është fillimisht kryeministri, Albin Kurti ai që mbrëmë përmes një shkrimi në Twitter, njoftoi se Projekti i Drejtësisë Botërore, këtë vit e ka renditur Kosovën në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Kurti poashtu tha se sipas WJP-së, Kosova po ashtu ka zënë vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar.
“Këtë vit, Projekti i Drejtësisë Botërore (Ëorld Justice Project) e ka renditur përsëri Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit. Ai gjithashtu e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe atë shpejtësi”, ka shkruar Kurti.
Por, për Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Kosova është më keq në renditje prej kohës kur ka ardhur VV në pushtet.
“Ne vitin 2020, Kosova ishte ne vendin e 54. Ne vitin 2021, Kosova ishte ne vendin e 60. Ne vitin 2022, Kosova eshte ne vendin e 57. Me fjale tjera, Kosova eshte me keq ne renditje prej kohes kur ka ardh VV ne pushtet. Dhe nuk ka hapesire as per vetknaqesi e as per mburrje”, shkruan ai.




Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se realiteti është ndryshe nga interpretimet e qeverisë që po i bëjnë këtij raporti.
“Aftësia e qeveritarëve për të lexuar raporte është e paparë. Injorojnë krejt raportin, kalojnë 39 faqe dhe shkojnë te faqja 40, gjejnë diçka për t’u lavdëruar por realiteti është ndryshe”, shkruan Bajrami.


Në mesin e shumë reagimeve është edhe ai i avokatit kosovar, Tomë Gashi i cili është shprehur mjaftë optimisht që deri në raportin e ardhshëm të organizatës në fjalë, me qeverinë Kurti në pushtet, Kosova do të radhitet e para në listë për sundim ligji.
“Me qeverinë Kurti 4 Kosova do të bëhet e para! Që doni lidhemi me nga 150 ojro”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, Projekti i Drejtësisë Botërore (WJP) është një organizatë e pavarur, multidisiplinare që punon në krijimin e njohurive, ndërgjegjësimin dhe stimulimin e veprimeve për të avancuar sundimin e ligjit në mbarë botën.

