‘Po shkatërrohet ajo që është ndërtuar për 20 vjet’, shërbyesit civilë reagojnë kundër Projektligjit për Zyrtarët Publikë
Projektligji për Zyrtarët Publikë po kundërshtohet ashpër edhe nga vetë zyrtarët publikë.
Përfaqësues të shërbyesve civilë konsiderojnë se nëse ky projektligj miratohet, ai do ta rrënojë tërë atë që është bërë për 20 vjet.
Ali Sefaj, përfaqësues i kësaj sindikate, ka thënë se Projektligji për Zyrtarët Publikë, sipas draftit të publikuar në konsultime publike e kthen administratën shtetërore nga administratë e karrierës në administratë të mandatave politike, fshin memorien institucionale, rrënon të arriturat në administratë, avancimin në karrierë, cenon sigurinë juridike të zyrtarëve dhe krijon mundësi për hakmarrje politike sa herë ndërrojnë pushtetet.
“Me qëllim të pengimit të pasojave të lartcekura që do sillte ky Projektligj, në emër të Shoqatave Sindikale të Shërbyesve Civil të Institucioneve Qendrore dhe në emër të të gjithë shërbyesve civil, kërkoj nga ju si Grup Punues për hartimin e Projektligjit për Zyrtarët Publik, të takoheni si Grup Punues, të analizoni komentet e dërguara nga të gjithë akterët (Sindikatat, Shoqatat, Kolegji i Drejtorëve të Departamentit Ligjor, Burimet njerëzore, SIGMA, BE, GLPS, IDK etj). Si Grup Punues bartni përgjegjësi profesionale dhe morale për atë që do të ndodhë në shërbimin civil dhe administratën shtetërore, reformën e mirëfilltë apo rrënimin e gjithë asaj që kemi ndërtuar së bashku këto njëzet vite.”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Sefaj tek Grupi Punues, përcjell Syri.net Kosova
Qeveria Kurti e ka finalizuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë, me të cilin synon t’i rregullojë marrëdhëniet e punës së zyrtarit publik në institucionet e vendit.
