Kurti s’kursehet në vetëlëvdata për raportin e KE-së: Kemi filluar të bëhemi gati të aplikojmë për statusin kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në konferencë të përbashkët për media me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Szunyog pasi ka pranuar raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Kurti as kësaj radhe nuk u kursye në lëvdata për qeverisjen e tij dhe për vetën si kryeministër i Kosovës, duke thënë se ky raport tregon të arritura.
Ai ka thënë se ky është raporti i parë që përfshin 1 vit të plotë në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe thotë se Kosova ka shënuar progres në shumë fusha.
“Sot kemi pranuar raportin për vendin 2022, ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë 1 vjeçare të qeverisjes sonë. Sa i përket vitit që shkoi vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha, përkundër krizave globale me të cilat është përballur jo vetëm Kosova por gjithë kontinenti evropian, që nga pasojat e pandemisë, deri te krizat si ajo e energjisë dhe inflacionit. Raporti që në fillim e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike, stabiliteti është parakusht për reforma afatgjate, andaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së për një kohë të gjatë e që u injoruan nga qeveritë e kaluara, si për shembull, terminalet doganore private nuk janë në harmoni me marrëveshjen e MSA-së dhe kalimi gradual nga private në publike është rekomanduar që nga viti 2018.”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe në këtë konferencë çështjen e terminaleve doganore, ndërsa ka përmendur edhe disa ligje të tjera siç janë ajo i financimit të partive politike, çështjen e ligjit për ushqim dhe për rezervat e obligueshme të naftës.
“Vitin e kaluar e hapëm terminalin doganor në Mitrovicë, ndërsa këtë vit terminalin doganor në Podujevë e kthyem në shtetëror, njësoj do të vazhdojmë me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Vërmicë. Rrgullorja e Kuvendit u votua pas 12 viteve, pastaj ligji për financimin e partive politike kishte nisur në vitin 2014, e kishte shumë hezitime, ne e kemi miratuar sivjet. Ligji për ushqim që rregullon sigurinë, cilësinë dhe kontrollin e ushqimit ishte rekomanduar në vitin 2012, në vitin 2021 patëm dy valë të racionalizimit të agjencive e cila përfshiu me 4 agjenci dhe e dyta me 2 agjenci. U miratua ligji për rezervat e obligueshme të naftës, kërkesë e Komisionit që nga viti 2014. Ne jemi duke zbatuar agjendën e reformave evropiane 2 dhe jemi duke zbatuar programin kombëtar për zbatimin e MSA-së 2022-2026.”, ka thënë Kurti.
Kurti gjithashtu ka thënë se kanë dorëzuar në Kuvend dosjen e Vettingut e cila sipas tij përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, gjë për të cilën njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë hedhur dyshime. Ai gjithashtu përmendi numra të personave të arrestuar, të grupeve kriminale të shkatërruara, konfiskime të drogës e mbyllje të rrugëve të kontrabandës.
“Te sundimi i ligjit është ndër prioritetet e përbashkëta. Ne kemi dorëzuar tashmë në Kuvend dosjen e vettingut që përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Ky proces synon të bëjë gjyqësorin më efikas, prokurorinë aktive në luftimin e krimit dhe vënien e drejtësisë. Kemi rritur luftën kundër korrupsionit që ka rezultuar me më shumë se 780 aksione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit me më shumë se 2200 persona të arrestuar, prej të cilëve gati 300 zyrtarë shtetërorë dhe 68 grupe kriminale janë shkatërruar. Dhe janë konfiskuar 1.7 tonë drogë, janë shkatërruar 5 laboratore të drogës dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale në veri të vendit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qeverisja e mirë pa skandale e ka ngritur Kosovën në raportet ndërkombëtare u renditëm të parët në Ballaknin Perëndimor në indeksin e World Justice Project për vitin 2021 dhe për 17 vende në raportin e Transparency International.”, tha Kurti.
Ai tha se ekonomia konkurruese dhe zhvillimi ekonomik janë të nevojshme për qytetarët por edhe për avancim ndërkombëtarisht. Ai tha se vitin e kaluar Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 10,7 përqind, ndërsa ka ripotencuar rritjen e eksportit në dy vitet e fundit dhe rritjen e vendeve të punës e të hyrave buxhetore.
“Të hyrat buxhetore janë për 1/3 më të larta se vitin e kaluar, ndërkaq investimet e huaja direkte janë rritur për 22 përqind, sipas ATK-së në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë se ai pararendës ndërsa në këtë vit deri në gusht kemi edhe 15 mijë vende pune më shumë.”, tha Kurti.
Kurti nuk e la pa përmendur edhe menaxhimin e pandemisë të cilin e konsideron të mirë, fushatën e vaksinimit që e konsideron të suksesshme dhe ka përmendur se Pako e Ringjalljes Ekonomike ka arritur vlerën e 750 milionë euro.
“Menaxhimi i mirë i pandemisë, fushata e suksesshme e vaksinimit masiv, Pako e Ringjalles Ekonomike që tashmë ka vlerën prej 750 milionë euro janë edhe shkaqet edhe arsyet e përformancës së mirë ekonomike. Kemi përkrahur bujqit dhe fermerët përmes granteve dhe subvencioneve në vlerë prej 100 milionë euro. Kemi subvencionuar grurin për 216% më shumë. Duke shënuar kështu subvencionimin më të lartë në rajon, kjo është shoqëruar me legjislacion të rëndësishëm në fushën e bujqësisë pas shumë viteve të stagnimit.”, tha Kurti.
Kurti ka përmendur edhe disa projekte si marrëveshja me MCC-në në vlerë prej 236,7 milionë euro, Parkun e Erës në Selac të Mitrovicës në vlerë prej 169 milionë euro dhe projektin Solar for Kosovo në vlerë prej 65 milionë euro që sipas tij do të paraqesë një prej termocentraleve më të mëdha diellore në Evropë.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe qasjen e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë, ndërsa ka përmendur se presin një përgjigje pozitive sa i përket çështjes së vizave.
“Arritjet tona janë konfirmuar nga Komisioni dhe mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit dhe kemi arritur të futemi në agjendë të grupit punues për viza për më shumë se 4 vitesh. Jemi të bashkërënduar me presidencen çeke të këshillit pasi që kjo temë është edhe prioritet i tyre, ne do të punojmë ngushtë me të gjitha shtetet përkrahëse dhe jemi në koordinim për hapat e radhës.”, tha Kurti.
Në fund, ai tha se kanë filluar përgatitjet për të dorëzuar aplikacionin në Bashkimin Europian si hap i parë me synim të marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Ndërkohë kemi filluar përgatitjet për të dorëzuar aplikacionin në Bashkimin Evropian si hap i parë e me synim të marrjes së statusit kandidat. Kosova është vend evropian, me vlera dhe orientim evropian, me politikë të jashtme të linjëzuar me Bashkimin Evropian, mbi 6 vite zbatojmë MSA-në, kjo na bën të besojmë se plotësojmë çdo kriter teknik për të fituar statusin e vendit kandidat.”, tha Kurti.
