Policia nis hetimet për rastin ku dyshohet se u ngatërruan foshnjat në QKUK
Në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë mbrëmë kanë lindur dy foshnje, njëra prej të cilave pa shenja jete.
Dyshohet se njëra nga infermieret ka krijuar një keqkuptim në mes prindërve të dyja foshnjave.
Infermierja, prindërve të foshnjës së vdekur u kishte thënë se “Fëmija ka lindur shëndosh e mirë”, kurse të kundërtën prindërve të fëmijës së shëndoshë.
E gjithë kjo më pas ka nxitur dyshime tek prindi, të cilit i kishte vdekur foshnja dhe ai e ka lajmëruar rastin në polici, nën dyshimin se është ndërruar foshnja.
Lidhur me këtë rast është deklaruar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka theksuar se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Ahmeti tha se është hapur hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
“Mbrëmë rreth orës 22:00 me autorizimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Hetimi ka ardhur si rrjedhojë e denoncimit të bërë pranë policisë nga ankuesi i cili ka ngritur dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj klinikës ku është realizuar lindja.Dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse. Ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar për obduksion, policia në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit po heton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre” – tha Ahmeti.
