Zhbllokohet konto e Komunës së Gjilanit, presin ndihmë nga ekzekutivi për shlyrjen e borxhit
Është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës por që bashkëqeverisë me Vetëvendosjen në Gjilan.
Por, tani Riad Rashiti, drejtor për Buxhet dhe Financa, po i vuan pasojat e menaxhimit jo fort të mirë të bashkëpartiakëve dikur, por edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas.
Ai trashëgoi borxhe, të cilat çuan deri te bllokimi i xhirollogarisë së Komunës nga përmbaruesit për gati dy javë.
Mjetet ishin paraparë për palët civile për pagesën e shpronësimit të pronave.
“Realisht edhe ne si PDK në vitin 2013 i kemi lan borxh katër milionë euro, dhe këto vit pas viti janë grumbulluar ku borxhi ka arritur mbi 11 milionë euro, kurse edhe 15 milionë euro janë në procedura gjyqësore’, deklaroi Riad Rashiti, Drejtor për Buxhet dhe Financa.
Në fakt, zhbllokimi u bë tanimë por borxhi 3.3 milionë euro ende nuk është ekzekutuar, për të cilat po presin nga ekzekutivi, teksa gjatë vitit kjo komunë ka shlyer borxhin prej 3.2 milion euro.
Ky i fundit shton se kjo periudhë iu ka sjellë telashe për të bërë blerje dhe furnizime për institucionet që i kanë në menaxhim teksa thekson se kjo situatë edhe i cenon projektet komunale.
Nga 11 milionë euro borxh, të pashlyera janë gati 8 milionë për shpronësime pronash dhe mbi 3 milionë për investime kapitale.
