Mbreti Charles III: Nënë e dashur, faleminderit

Mbreti Charles III foli për “dhimbjen e madhe” pas humbjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq të enjten.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit si Mbret, ai tha se si çdo fëmijë tjetër, ai dhe gjithë familja e tij, i kanë borxh nënës së tyre, për dashurinë, mirëkuptimin dhe shembullin që u ka dhënë.

“Atë premtim [të Mbretëreshës] për shërbimin e përjetshëm ndaj jush po ua jap prapë të gjithëve sot”, tha Mbreti.

Charles falënderoi të gjithë për ngushëllimet dhe mbështetjen, dhe tha se “ato kanë aq shumë vlerë sesa mund ta përshkruaj me fjalë ndonjëherë”.

“Nënë e dashur, në udhëtimin tënd të fundit për t’u bashkuar me babanë e dashur, dua të them thjesht këtë: faleminderit”, mbylli fjalimin Charles.

Pas fjalimit të Mbretit Charles III, në Katedralen e Shën Palit në Londër u mbajt ceremonia përkujtimore për Mbretëreshën.

Në këtë ceremoni morën pjesë figura të larta shtetërore, mes tyre edhe kryeministrja e Britanisë, Liz Truss.

“Ne nuk jetojmë për veten tonë dhe nuk vdesim për veten tonë; nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin… pra jemi të Zotit”, tha Truss.

Mbretëresha vdiq në Kështjellën e Balmoralit në Skoci.

Go to TOP